Gjykata Speciale nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së

27 nëntor 2020 | 20:30

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka thënë se akuzat e Gjykatës Speciale vetëm në planin afatshkurtër mund të ndikojnë në imazhin e Kosovës dhe të luftës sonë çlirimtare.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai është shprehur i bindur se në planin afatgjatë nuk do të mund të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për problemet e aktakuzës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sipas Muratit, në aktakuzë vërehet një tendencë e pashembullt e shtrembërimit të fakteve se kush ka qenë agresori në Kosovë dhe kush ka qenë duke u mbrojtur.

I pari i LB-së ka vlerësuar se është naivitet i madh që Gjykata Speciale të lidhet me procesin e dialogut me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Murati, tashmë e kemi parë aktakuzën e redaktuar të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Cili është vlerësimi juaj për këtë aktakuzë?
Murati: Në momentin e votimit për ndryshimet kushtetuese dhe të Ligjit për Dhomat e Specializuara është ditur se do të vije ditë e ballafaqimit me prodhimin e tyre, pra me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special. Ndonëse ka një problem me çështjen e vazhdimit të mandatit, sepse amendamentet kushtetuese iu japin kohë pesë vjet për ta përmbyllur misionin, ashtu siç kam qenë i bindur, Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ka bërë një interpretim krejt tjetër, sidomos të paragrafëve 13 dhe 14 të nenit 162 (amendamenti 24) dhe ua ka vazhduar mandatin Dhomave të Specializuara. Sidoqoftë kjo tashmë është një situatë e cila nuk lë shtigje të tjera përpos atë që thashë, të ballafaqimit me gjykatën, rrjedhimisht proceset gjyqësore dhe pasojat e saj. Sa i përket aktakuzës, ajo ka disa probleme. E para, përpiqet të përcaktojë se ka pasur një grup të organizuar brenda UÇK-së, pra ajo që quhet “ndërmarrje e përbashkët kriminale” që ka pasur synim realizimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të luftës, përfshirë tendencën e qëllimtë për ushtrimin e një pushteti politik duke frikësuar të tjerët, qoftë kundërshtarët politikë ndër shqiptarë, qoftë pjesëtarët e pakicave që jetojnë në Kosovë. Dhe duke qenë se këta njerëz kanë qenë në krye të UÇK-së, rrjedhimisht i bie se edhe synimi i UÇK-së ka qenë në funksion të realizimit të objektivave të këtyre personave. Pastaj në funksion të arsyetimit se ata përbëjnë një ndërmarrje të përbashkët kriminale të gjitha krimet e supozuara të UÇK-së apo edhe ato që janë dënuar në gjykatat e Kosovës i mëvishen këtij grupi. Pra, ka një grumbullim të rasteve të trajtuara më parë në procese të ndryshme gjyqësore vetëm se tani ato vihen në funksion të arsyetimit të faktit se ato janë kryer në mënyrë sistematike si produkt i një udhëheqjeje që ka pasur ato qëllime. Sigurisht aktakuzat janë goditje për të gjithë UÇK-në, jo vetëm për ata që janë arrestuar deri më sot. Megjithatë, mos të harrojmë se këtë mekanizëm gjyqësor të pashembullt në historinë e drejtësisë në botë, e cila është ndërtuar nga Kosova, por nuk i përgjigjet asaj, e ka krijuar Kuvendi i Kosovës. E vërtetë, e ka krijuar pas presioneve të mëdha por, megjithatë, është produkt i yni. Unë personalisht jam i lumtur se deputetët e LB-së kanë votuar kundër, ndonëse në planin e përgjithshëm ky tani është vetëm një satisfaksion moral e politik, por jo që ka ndonjë vlerë praktike.

“Epoka e re”: Aktakuzën ndaj tyre shumëkush e ka cilësuar si tendencë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së. A po tentohet ndryshimi i historisë përmes kësaj gjykate?Murati: Nuk ka dyshim se në planin afatshkurtër këto aktakuza, proceset gjyqësore dhe ndonjë aktgjykim mund të ketë efekt negativ për luftën tonë qoftë në planin ndërkombëtar, qoftë edhe në atë të brendshëm. Sidoqoftë, kam besimin e plotë që në planin afatgjatë lufta jonë është e pamundur të njolloset dhe të goditet. Është e pamundur të njolloset përpjekja e një populli për liri e cila në periudhën 1998-’99 u sublimua në luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja dhe e cila me ndihmën e NATO-s solli lirinë e vendi. Tash nëse merret, ta zëmë, vetëm pjesa e aktakuzës, ku trajtohet konteksti politik dhe historik në të cilin ka filluar dhe është zhvilluar lufta, aty vërehet një tendencë e pashembullt e shtrembërimit të fakteve se kush ka qenë agresori në Kosovë dhe kush ka qenë duke e mbrojtur dhe duke u përpjekur për t’u çliruar. Deri më tani artikulli i studiueses Anna Di Lellios që merret me këtë pjesë të aktakuzës është i duhuri për ta demaskuar këtë pjesë të aktakuzës.

 “Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për t’u dalë në ndihmë personave të akuzuar?
Murati: Unë tani në këtë fazë nuk mendoj se institucionet kanë shumë mundësi të ndihmojnë. Janë mekanizmat për t’i ndihmuar edhe financiarisht ata që akuzohen si dhe familjarët e tyre. Dhe besoj se me kërkesën e avokatëve institucionet tona mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të caktuara që do të mund t’i ndihmonin të akuzuarit. Përtej kësaj, do të jetë vështirë një ndërhyrje më e madhe sepse konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi. Lufta për të vërtetën tonë e të luftës sonë pastaj është një çështje tjetër e të cilën duhet ta zhvillojmë çdo ditë e në mënyrë sistematike e jo me fushata të përkohshme dhe emocione të çastit.

“Epoka e re”: Kjo gjykatë, a mund të sjell ndonjë pasojë për shtetin e Kosovës?
Murati: Atë që e thashë më herët: mund të ndikojë në imazhin tonë dhe të luftës sonë në planin afatshkurtër. Edhe në rrethe të caktuara që kanë punuar kundër pavarësisë së Kosovës do të forcohet diskursi kundër pavarësisë dhe të goditet ndihma që na ka dhënë NATO-ja dhe aleatët e tjerë që e kanë përkrahur pavarësinë e vendit. Sigurisht Serbia, e cila së bashku me Rusinë qëndrojnë prapa këtij projekti përmes raportit të Dik Martit, do të përpiqet që maksimalisht të shfrytëzojë këtë situatë për ta goditur shtetin e Kosovës dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar. Sidoqoftë, kjo është betejë politike dhe propagandistike në të cilën ne do të duhej të ishim më të përgatitur e më unikë për ta zhvilluar. Mbi të gjitha, kjo betejë fitohet duke e konsoliduar shtetin e Kosovës, duke mos u frikësuar në procesin e dialogut, por guximshëm të hyjmë me opsione për t’i zgjidhur problemet e mbetura me Serbinë dhe të forcohemi e të faktorizohemi si Kosovë e si komb shqiptar.

“Epoka e re”: Në këto rrethana kemi pasur zëra që kanë kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Si duhet të veprohet me këtë proces?
Murati: Për mua është naivitet i madh të lidhet dialogu me këto procese gjyqësore. A nuk e kemi ditur ne se një ditë gjykata do ta fillojë punën? A nuk e kemi ditur ne se Serbia me punën e saj të pandalshme qëndron prapa saj? A nuk i kemi ditur ne tash e 20 vjet qëndrimet e Serbisë? Dialogu nuk duhet të lidhet me procese të tilla. Problemin që e kemi si shoqëri me dialogun është se asnjëherë nuk kemi qenë të bindur se dialogu është në dobinë tonë. Andaj edhe sillemi ndonjëherë si fëmijë të llastuar. Puna është se politikanët tanë në diskursin e tyre rreth dialogut me një nëntekst që kuptohet lehtë e çojnë mesazhin se ne nuk e duam dialogun, por e bëjmë për shkak të aleatëve tanë. Andaj edhe ne pastaj nuk dimë se çfarë duam nga dialogu, nuk kemi një platformë të përpunuar politike dhe vetëm vazhdon mashtrimi i opinionit se po shkojmë në dialog për njohje. Lëvizja për Bashkim që nga viti 2010 e ka pasur të qartë se dialogu me Serbinë, por jo ai teknik, por dialogu politik është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet që kanë mbetur në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe ne atëherë e sot jemi të bindur se nuk ka zgjidhje tjetër të konfliktit shqiptaro-serb, përkatësisht atij të Kosovës dhe të Serbisë, përveç idesë së ripërcaktimit të kufijve, që do të rezultonte me ndryshime kushtetuese në Kosovë, heqjen e privilegjeve kushtetuese për komunitetin serb, shndërrimin e Kosovës në një shtet të plotë sovran dhe hapjen e rrugës edhe për bashkim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nëse qytetarët e dy vendeve e duan atë.

“Epoka e re”: Gjithashtu, janë kërkuar edhe zgjedhjet e reja. Do të ishte më mirë të shkohet në zgjedhje, apo të provohet zgjerimi i koalicionit qeverisës për t’u përballur me këto procese?
Murati: Situata politike në vend është pak të thuhet se është e çuditshme. Qeveria nuk i ka numrat për t’i kaluar ligjet më të rëndësishme, tani atë të rimëkëmbjes ekonomike dhe të buxhetit. Opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë. Nuk ka qartësi në qëndrimet rreth presidentit, mundësisë së përfshirjes së PDK-së në qeveri dhe qëndrimit përfundimtar të AAK-së rreth presidentit. Në këto rrethana nuk ka shumë opsione. Njëra është marrëveshja për presidentin pa zgjerim të qeverisë. E dyta është marrëveshje për presidentin dhe zgjerimi i qeverisë. E treta është shkuarja në zgjedhje. E kam përshtypjen se çdoherë e më shumë po i afrohemi të tretës. Ndonëse duket pak problematike dhe papërgjegjësi politike e aktorëve politikë që të çojnë vendin në zgjedhje në kohë pandemie, e kam përshtypjen se varianti më i mirë edhe për vendin edhe për funksionimin e institucioneve do të ishin zgjedhjet e reja.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës Kosovës, Besnik Tahiri, të premten…