
Gjykata Supreme dënon ashpër gjuhën e anëtarit të VV-së në KQZ që sulmoi gjyqtarin, Zenel Leku
Gjykata Supreme e Kosovës, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, mbi sulmet e fundit të bëra në anëtarit të saj në KQZ, për gjuhën e papranueshme ndaj gjyqtarit, Zenel Leku.
Kjo gjykatë shpreh sheqetësimin e saj dhe dënon ashpër gjuhën e anëtarit të Vetëvendosjes, Alban Krasniqit.
”Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë përkitazi me sulmet e fundit të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së KQZ-së, me datë 1 shtator 2025, ka përdorur gjuhë të papranueshme karshi Gjykatës Supreme, dhe gjyqtarit të kësaj gjykate, z. Zenel Leku.
Gjykata Supreme dënon ashpër këtë gjuhë reagimi të paprecedent dhe konsideron se deklaratat e tilla, përveçse janë të papranueshme, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.
Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte.
Në një shtet demokratik, është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore derisa përpjekjet për ta diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore, janë të dëmshme e të papranueshme, për gjykatën, gjyqtarin dhe gjithë shoqërinë.
Gjykata Supreme, vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore”.