Gjykata Supreme i del kundër Qeverisë- I njeh të drejtën e pensionit veteranit të UÇK-së, pavarësisht se ishte i punësuar

24 nëntor 2025 | 17:05

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm juridik, duke i njohur të drejtën në pensionin personal të veteranit të UÇK-së paditësit K. (I.) J., pavarësisht se ai kishte qenë i punësuar apo i vetë-punësuar jashtë vendit.

Me Aktgjykimin ARJ.nr.95/2025, instanca më e lartë gjyqësore ka aprovuar revizionin e paditësit dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke anuluar aktin administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferave.

Si nisi çështja?

Pensioni i veteranit të UÇK-së ishte ndërprerë më 28 qershor të 2021-ës. Ministria e Financave, përmes Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, më 21 shkurt të 2022-ës refuzoi ankesën e tij, duke konstatuar se ai figuronte i punësuar ose i vetë-punësuar sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Durrës, Shqipëri.

Në bazë të nenit 16, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 04/L-261, i cili dikur ndalonte përfitimin e pensionit për veteranët e punësuar në sektorin publik ose privat, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit e vërtetuan vendimin e Ministrisë dhe e refuzuan kërkesëpadinë.

Suprema konstatoi se gjykatat e instancave të ulëta kishin aplikuar gabimisht të drejtën materiale, duke mos marrë parasysh ndryshim-plotësimet ligjore të bëra me Ligjin Nr. 05/L-141. Sipas nenit 16 A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, ndalesa për përfitimin e pensionit nuk vlen më për të gjithë veteranët që janë të punësuar, por vetëm për ata:

  • që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës ose
  • që punojnë në institucione dhe ndërmarrje publike.

Gjykata Supreme theksoi se rrethana përcaktuese nuk është më vetë punësimi i paditësit, por fakti nëse ai paguhet apo jo nga buxheti i Kosovës. Si person i punësuar jashtë vendit, paditësi nuk financohej nga buxheti i republikës, ndaj, sipas interpretimit të ri ligjor, ai i plotëson kushtet për të gëzuar të drejtën e pensionit të veteranit të UÇK-së.

Në bazë të këtyre konstatimeve, Gjykata Supreme pranoi pretendimet e paditësit, rrëzoi vendimet e instancave të mëparshme dhe i njohu atij të drejtën në pensionin personal të veteranit, duke filluar nga data kur ai iu ndërpre, 28 qershor të 2021-tës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i PSG-së, Ousmane Dembele, ka rrëfyer për herë të…