
Gjykata Supreme mund ta bllokojë urdhrin e Trumpit për shtetësinë
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) të enjten u duk e vendosur për të ndaluar kufizimet e presidentit Donald Trump për shtetësinë automatike për fëmijët e lindur në ShBA, dhe për të gjetur një mënyrë për të kufizuar urdhrat e gjykatave më të ulëta të shteteve amerikane.
Nuk u bë e qartë se si mund të duket një vendim i tillë, por një shumicë gjyqtarësh shprehu shqetësime për atë që do të mund të ndodhte nëse administrata Trump do të lejohej, qoftë edhe përkohësisht, t’ua mohonte shtetësinë fëmijëve të lindur nga njerëzit që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, raporton “Associated Press”.
Gjyqtarët kanë dëgjuar argumentet e apeleve urgjente të administratës Trump ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta, të cilat i kanë pezulluar kufizimet për shtetësinë në shtetet amerikane.
Masat për pezullim janë paraqitur si një ndalesë kritike ndaj përpjekjeve të Trumpit për reforma qeveritare, dhe si një burim i zemërimit në rritje për presidentin republikan dhe për aleatët e tij. Gjyqtarët kanë lëshuar 40 masa kufizuese që kur Trumpi ka nisur mandatin e tij të dytë presidencial, në janar, i tha gjykatës avokati i Shtetit, John Sauer, në fillim të argumentimeve që zgjatën mbi dy orë.
E drejta e shtetësisë automatike të fituar me lindje është në mesin e disa çështjeve, shumica prej tyre të lidhura me migracionin, që administrata i ka kërkuar gjykatës ta shqyrtojë në mënyrë urgjente. Gjyqtarët janë duke shqyrtuar edhe kërkesat e administratës Trump për t’i dhënë fund lejeve humanitare për më shumë se 500.000 njerëzve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, dhe për t’i hequr mbrojtjet e tjera të përkohshme ligjore për 350.000 venezuelas të tjerë.
Administrata mbetet e përfshirë në beteja ligjore për përpjekjet e saj për dëbimin e shpejtë të njerëzve të akuzuar për përfshirje në banda drejt një burgu në El Salvador, sipas një ligji të kohës së luftës nga shekulli i 18-të.
Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, i cili do t’ua mohonte shtetësinë automatike fëmijëve të lindur në ShBA nga njerëz që ndodhen në vend ilegalisht apo përkohësisht. Urdhri bie ndesh me një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1898, i cili vlerësonte se neni për shtetësinë i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së i bënte shtetas të gjithë fëmijët e lindur në tokën amerikane, me përjashtime të caktuara që nuk vijnë në shprehje në këtë rast. Shtete amerikane, imigrantë dhe grupe për të drejta të njeriut kundërshtuan menjëherë urdhrin në gjyq, ndërsa gjykatat më të ulëta e ndaluan shpejt zbatimin e tij deri në shqyrtimin e rasteve. Gjyqtarët liberalë të Gjykatës Supreme u dukën të vendosur për të mbështetur vendimet e gjykatave më të ulëta, të cilat vlerësuan se ndryshimet ndaj shtetësisë të cilat Trumpi dëshiron t’i bëjë do ta ndryshonin kuptimin e të drejtës automatike për shtetësi prej më shumë se 125 vjetësh.
Nëse qeveria fiton rastin, ajo mund ta zbatojë urdhrin ndaj njerëzve që nuk e kanë kundërshtuar atë në gjyq, tha gjyqtarja Elena Kagan.
“Ata që nuk mund ta përballojnë gjyqin, do të humbin”, ka thënë ajo. Gjyqtarja Ketanji Brown Jackson, ka përshkruar qasjen e administratës si “më kap nëse mundesh”, që e detyron këto të ngre padi për të ndaluar “shkeljen e të drejtave të njerëzve nga qeveria”. Vendimi i gjykatës pritet deri në fund të qershorit