Gjykata Supreme rrëzon ankesën e kandidatit të PDK-së për Deçan, Korab Mushkolaj

28 gusht 2025 | 15:32

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Deçanit, Korab Mushkolaj, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi këtij të fundit iu refuzua certifikimi për zgjedhjet e 12 tetorit.

Në vendimin e Supremes është thënë se ankesa e Mushkolajt është “e pa themeltë”, duke konfirmuar konstatimin e PZAP-së dhe Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

Kjo e fundit kishte refuzuar certifikimin e kandidaturës së Mushkolajt, pasi ai është i angazhuar me aktemërim të përhershëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme si zyrtar i lartë – çka bie ndesh me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili ndalon kandidimin e anëtarëve të këtij shërbimi.

PDK-ja kishte refuzuar kërkesën që ta zëvendësonte Mushkolajn me një kandidat tjetër, ndërsa pjesa tjetër e listës është certifikuar pa pengesa.

Gjykata Supreme ka theksuar se moscertifikimi i Mushkolajt nuk është i kundërligjshëm dhe se nuk përbën diskriminim apo cenim të së drejtës së tij për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

“Vendimi është i drejtë dhe nuk janë shkelur as parimet themelore të procesit zgjedhor e as të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, është thënë në aktvendimin e Supremes.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Happy Land Sh.p.k. shpall të pavlefshme certifikatën e TVSH-së me…