Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj Lushtakut dhe dy të tjerëve

03 gusht 2022 | 11:03

Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj,  ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, Arif e Faton Lushtakut, të dyshuar se kanë sulmuar dy zyrtarë policorë në Skenderaj.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zyrtari për media i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nusret Hoxha.

“Paraburgimi u është vazhduar edhe për dy muaj, seanca është mbajtur dje”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, Nuredin, Arif dhe Faton Lushtaku janë në paraburgim që nga 4 korriku 2022.

Vendimin e Themelores për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, e kishte vërtetuar Apeli më 20 krrik 2022.

Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policorë, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetar i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës, Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.

Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirr djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.

Me këtë, të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale  “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, Nuredin Lushtaku ishte vetdorëzuar në polici, pas njoftimit të prokurorisë se i njëjti është në kërkim.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LeBron James ka ende edhe një vit kontratë me skuadrën…