Gjykatat njohin të drejtën për pensionin e moshës dhe pensionin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së njëkohësisht, avokati Sallahu ka fituar disa raste
Përfituesit e pensionit janë të gjithë shtetasit e përhershëm të Republikës së Kosovës, të cilët posedojnë dokumente identifikimi dhe që kanë mbushur moshën 65-vjeçare. Çdo qytetar, pa marrë parasysh nëse ai ka punuar ndonjëherë ose ka kontribuar në ndonjë skemë pensionale e gëzon të drejtën e pensionit.
Pavarësisht kësaj, qytetarët që kanë arritur moshën e pensionit nëpërmjet avokatëve janë duke kërkuar nga gjykatat që në të njëjtën kohë të ju njihet edhe e drejta e pensionit e veteranit të UÇK-së apo atij të familjeve të viktimave civile të luftës.
Në këtë drejtim, avokati Nazmi Sallahu, ka fituar disa raste në gjykatë në lidhje me realizimin e të drejtës së pensionit si kategori e dalë nga lufta, krahas atij të moshës 65-vjeçare.
Falë përkushtimit dhe profesionalizmit, avokati Sallahu, ka adresuar në gjykatë disa lëndë të kësaj natyre, ku ka arritur ta bind trupin gjykues se realizimi i pensionit të moshës dhe të kontributit në luftë është një e drejtë ligjore.
Avokati Sallahu, para disa ditësh ka njoftuar se ka fituar në gjykatën një rast të tillë.
“Pensionistëve të moshës dhe njëkohësisht ata të cilët janë edhe përfitues te pensioneve të familjeve të viktimave civile të luftës, të familjeve të dëshmorëve të luftës, invalidëve të UÇK-së, Invalidëve Civil të Luftës, po i kthehet dinjiteti i mohuar që nga viti 2015 nga një ligj diskriminues dhe abstrakt! Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Administrativ është duke i trajtuar me prioritet dhe duke vendosur në mënyrë meritore kërkesëpaditë e pensionistëve të kategorive të ndryshme, falë gjyqtarëve brilant dhe të përkushtuar në punën e tyre, në mënyrë që pensionistët ti realizojnë dhe ti gëzojnë pensionet e tyre retroaktiv nga viti 2015 të cilëve i janë ndërprerë në mënyrë të kundërligjshme. Të nderuar pensionistë kërkoni të drejtat e juaja, mos hezitoni! Natyrisht duhet me zgjedhë edhe avokatin e mirë”, kishte shkruar avokati Sallahu në “Facebook” më 22 janar.
Nuk është hera e parë që avokati Sallahu ka fituar një rast të tillë gjyqësor në gjykatat e Kosovës.
Këto raste gjyqësore , avokati Sallahu i kishte pasqyruar në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.



