GJYKATË E PASHEMBULLT NË HISTORINË E DREJTËSISË…!

13 mars 2025 | 19:29

Nga Astrit Gashi

Ka një vijë të kuqe që asnjë njeri, asnjë institucion, as edhe një gjykatë nuk duhet ta kalojë, dinjitetin njerëzor. Por sot, në mes të Evropës, drejtësia po përdoret si një mjet për ta shkelur këtë dinjitet. Ajo që po ndodh me Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij nuk është më një proces gjyqësor, por një përpjekje e turpshme për ta njollosur luftën tonë të drejtë dhe për të fyer sakrificën e një kombi të tërë.

Nuk mund të rri i heshtur. Nuk mund të shikoj i qetë ndërsa të njëjtët që dikur na vranë e na masakruan, sot po na shkruajnë historinë.

Vizita e Hashim Thaçit te babai i tij i sëmurë ishte një moment që çdo njeri normal e kupton si një të drejtë të patjetërsueshme. Një djalë që sheh babanë e tij duke luftuar me semundjën nuk është as lajm, as rrezik për askënd. Por për Gjykatën Speciale, ky ishte një moment për ta nënshtruar atë, për ta poshtëruar.

Sot, kur pashë Hashim Thaçin duke dalë nga Klinika Interne, m’u kujtua një skenë tjetër e ngjashme, por me një përfundim më tragjik – 5 maji i vitit 1999. Atë ditë, nga e njëjta klinikë, kriminelët serbë e morën vëllain tim. Ata nuk i dhanë as mundësinë e një gjyqi, nuk ia dhanë as të drejtën për t’u mbrojtur. E pushkatuan dhe më pas ia zhdukën kufomën.

Por për këtë gjykatë të padrejtësisë, populli im nuk ka vuajtur. Për ta, ne paskemi qenë agresorë, ne paskemi qenë kriminelët. Si është e mundur? Si mund të heshtim përballë kësaj njollosjeje?

Sot e rëndë se veprimi i Gjykatës Speciale është heshtja jonë. Heshtja e institucioneve, heshtja e shoqatave të luftës, heshtja e veteranëve që dikur betoheshin se do të ruanin vlerat e UÇK-së. Po heshtim ndërsa historia jonë po shkruhet nga armiqtë tanë!

Nuk është vetëm Hashim Thaçi ai që po gjykohet padrejtësisht. Është çdo luftëtar i UÇK-së. Është çdo shqiptar që ka dhënë gjithçka për këtë tokë.

Ne nuk mund të lejojmë që lufta jonë e shenjtë të njolloset. Nuk mund të pranojmë të përkulemi dhe të dorëzojmë sakrificën dhe gjakun e derdhur të më të mirëve tanë. Nëse nuk veprojmë sot, nesër fëmijët tanë do të jetojnë me një të kaluar të rrejshme. Do të shohin emrat e dëshmorëve të përçmuar dhe të vërtetën tonë të përmbysur.

Prandaj, është koha për t’u ngritur. Jo për një individ, por për dinjitetin kombëtar. Jo për një emër, por për drejtësinë e mbarë kombit.

Sepse LIRIA KA EMËR!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se sot në Kosovë…