Gjykatës në Shkup i dorëzohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Tomor Morinës

05 gusht 2019 | 18:27

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, i ka dorëzuar Gjykatës Themelore “Shkupi1” kërkesën e Serbisë, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina.

Siç bëhet e ditur nga gjykata, ministria ka dorëzuar gjithë dokumentacionin lidhur me procedurën e ekstradimit të Tomor Morinës, të cilit më 25 korrik, iu caktua masa e paraburgimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake do të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore dhe mendimin do ta dërgojë në gjykatën kompetente, që të vendos dhe e cila më pas përgjigjen do t’ia dërgojë ministrisë së Drejtësisë, që është përgjegjëse për procedurën e mëtejmë të ekstradimit.

Gjykata penale gjithashtu njoftoi se i ka lejuar një delegacioni të ambasadës së Kosovës që të vizitojë Morinën, i cili ndodhet në burgun e Shkupit.

Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë, transmeton “Rel”.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 viteve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Për ekstradimin e Morinës ka folur edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Ai ka thënë se ekstradimi nuk duhet të vijë në shprehje pasi, siç tha, mund të ndodhë prishja e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. “Megjithatë, kujtoj se ekstradimi i tij komplet kundër të drejtave njerëzore është antiligjor, i papranueshëm dhe nuk do të duhej të ndodhte, sepse një ekstradim eventual nuk është më në dëm të fatit personal të Tomor Morinës. Por mund të ketë pasoja edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk do të donim që raste të tilla të ndikojnë për prishjen eventuale, për çka nuk jemi të interesuar fare si Kosovë”, ka thënë Dedaj.

Para disa ditësh, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i është drejtuar me letër ministres së Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoska, nga e cila ka kërkuar shqyrtimin e aspekteve ligjore dhe rrethanave të tjera për lirimin e Tomor Morinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeparlamentari Jakup Kasniqi ka thënë se nuk është ndonjë meritë…