
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mocioni do të dorëzohet deri më 12 qershor
Pranimi i provave të reja në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, ka shtyrë edhe dorëzimin e mocionit të mbrojtjes për këto akuza.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit kishin planifikuar që këtë të hënë të dorëzonin mocionin për rrëzim të akuzave.
Siç ka konfirmuar për Dukagjinin, avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Mishetiq mocioni do të dorëzohet deri më datën 12 qershor.
Kryetari i trupit gjykues, ka vendosur për pranimin si provë disa raporte ndërkombëtare, e prova që ndërlidhen me viktimat që janë të përfshirë në aktakuzë.
Këto prova sipas prokurorisë, përforcojnë provat për keqtrajtimin dhe torturat ndaj të ndaluarve, derisa mbrojtja e të akuzuarve i kishte kundërshtuar të njëjtat.
Ndërkohë që sipas avokatit të akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj këto çështje nuk mund të ndikojnë në zgjatjen edhe më tutje të procesit gjyqësor.
“Po besoj që gjykata vendimi të kryhet para muajit qershor dhe eventualisht me fillu në korrik sepse në gusht janë pushimet, dhe të fillojë me dëgjim të dëshmitarëve të mbrojtësit të viktimave, e mbrojtësit të akuzuarve por mundet mos me ndodh kjo dhe me fillu pas pushimeve, dhe pak a shumë janë brenda afateve dhe parashikimeve kur ka bërë para dy viteve..”, deklaroi Taulant Hodaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar me paraqitjen e provave për këtë çështje gjyqësore më 15 prill të këtij viti. Pas kësaj ishte kërkuar ndryshimi i masës së sigurisë, ndaj të akuzuarve e që sipas avokatit Hodaj kanë ndikuar disa faktorë që mos të ndodhë kjo.
“Mund të ketë ndikime sidomos te këta që janë në paraburgim, sepse proceduralisht prokuroria mundet me shfrytëzu që nuk ka siguri të mjaftueshme psh policia ska mundur me i ndal protestuesit e lërë me të i sigurojë të akuzuarit, kjo proceduralisht mund të ndikojë për ndryshimin e një mase të sigurisë.” , përfundoi Hodaj. Në vizitë në Kosovë, më pas erdhi edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova por e cila anuloi një takim të planifikuar me mediat, për shkak të protestës së veteranëve të UÇK-së.