Gjykimi në Hagë të hënën hyn në etapën finale
Të hënën nis faza përfundimtare e njërit prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në këtë etapë përmbyllëse, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe vetë të akuzuarit do të paraqesin për herë të fundit qëndrimet dhe argumentet e tyre para trupit gjykues.
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po gjykohen për akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata vazhdimisht i kanë mohuar, duke i cilësuar si të pabazuara.
Edhe ekipet mbrojtëse kanë kundërshtuar aktakuzën, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka funksionuar me një zinxhir të centralizuar komandues dhe se pretendimet për krime ndaj katër të akuzuarve nuk janë mbështetur me prova bindëse.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se konfirmimet për pjesëmarrje në seancat përmbyllëse u janë dërguar të gjithë personave të akredituar për ndjekjen e drejtpërdrejtë të procesit.
Deklaratat përfundimtare janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt, në objektin e DHSK-së në Hagë. Për shkak të interesimit të madh, numri i vendeve për publikun ka qenë i kufizuar dhe jo të gjitha kërkesat janë aprovuar.
Ndjekësit që nuk arrijnë të jenë fizikisht të pranishëm do të kenë mundësi t’i përcjellin seancat përmes transmetimit online në faqen zyrtare të DHSK-së, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, me një vonesë prej 45 minutash.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar më 3 prill 2023, pothuajse tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, duke ngjallur interes të madh publik në Kosovë dhe jashtë saj.
Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar janë mbajtur pesë protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar “Drejtësi për Çlirimtarët”.
Një protestë tjetër me të njëjtën kërkesë pritet të organizohet në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.



