Gjyqtarët e Speciales caktojnë datat, në fund të dhjetorit pritet përfundimi i gjykimit në Hagë

02 shtator 2025 | 15:32

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, që ka nisur në prillin e vitit 2023, përfundimin pritet ta ketë më së largu më 22 dhjetor.

Kjo është data që trupi gjykues e ka dhënë si afat për palët të dorëzojnë shkresat përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në parashtresë, mesi i nëntorit është caktuar si afat për avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, për ta përfunduar rastin e tyre.

“Pasi ka shqyrtuar parashtrimet e palëve dhe pjesëmarrësve, listat e dëshmitarëve të mbrojtjes Thaҫi dhe mbrojtjes Krasniqi dhe vlerësimet e pyetjeve të kryqëzuara të palëve dhe pjesëmarrësve të mbetur, paneli përcakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes si për mbrojtjen Thaҫi ashtu edhe për mbrojtjen krasniqi si të premten, 14 nëntor 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme. Paneli thekson se kjo datë është thjesht një tregues i vlerësimit të panelit për kohëzgjatjen e çështjes së mbrojtjes dhe mund të përshpejtohet ose zgjatet sipas nevojës. Cakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes për të dyja palët, mbrojtjen e Thaçit dhe mbrojtjen e Krasniqit, të premten, 14 nëntor 2025, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme”, është thënë në vendimin e trupit gjykues, raporton “Nacionale”.

E fundi përfundimisht i këtij shqyrtimi, pritet në fund të këtij viti. Vendimi, në fillimin e vitit të ardhshëm.

“Paneli vëren se ZPS-ja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërshtim, dhe mbrojtja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërpërgjigje, në përputhje me Rregullën 127(2). Pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla dhe vendimin e Panelit në lidhje me to, Paneli informon Palët dhe pjesëmarrësit se ata duhet të jenë të përgatitur të paraqesin shkresat përfundimtare të gjyqit dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të supozuara mbi viktimat që marrin pjesë në procedura, para fillimit të pushimit gjyqësor të hënën, më 22 dhjetor 2025. Paneli do të caktojë një datë të saktë në lidhje me këtë çështje pasi çështja e mbrojtjes të jetë më e avancuar dhe pasi paneli të ketë dëgjuar palët dhe pjesëmarrësit në lidhje me këtë dhe çdo kërkesë në përputhje me Rregullën 127(2)”.

“Informon palët dhe pjesëmarrësit se ata duhet të jenë të përgatitur të paraqesin dosjet përfundimtare të gjyqit dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të supozuara mbi viktimat që marrin pjesë në procedura, para fillimit të pushimit gjyqësor të hënën, 22 dhjetor 2025”, është thënë më vendim.

Avokatët e Thaçit, deri më tash, kanë zbuluar të gjitha dokumentet e nevojshme për raundin e parë të dëshmitarëve.

“Paneli vëren se, që nga konferenca e përgatitjes së mbrojtjes, mbrojtja e Thaçit ka zbuluar deklaratën e 1DW-006 dhe deklaratën e nënshkruar të 1DW-003.10 Prandaj, mbrojtja e Thaçit tani ka zbuluar të gjitha përmbledhjet dhe deklaratat për bllokun e parë të dëshmitarëve, dhe nuk kërkohet asnjë urdhër tjetër në këtë moment. Pasi shqyrtoi parashtrimet e palëve, trupi gjykues urdhëron mbrojtjen e Thaçit që të ofrojë përmbledhjet e dëshmitarëve dhe/ose deklaratat për dëshmitarët e mbetur sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se tre javë para datës së parashikuar të dëshmisë së dëshmitarit përkatës. Mbrojtja e Thaçit duhet të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që një zbulim i tillë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, është thënë në vendimin e gjyqtarëve.

Mbrojtja e Thaçit e ka informuar panelin se disa nga ofruesit kanë kërkuar masa sipas Rregullës 107 dhe se do të paraqesë kërkesa në këtë drejtim në kohën e duhur.

“Mbrojtja e Thaçit deklaroi se mënyrat e dëshmisë për të gjithë dëshmitarët e saj, përveç një dëshmitari të Rregullës 153, do të jenë ose sipas Rregullës 154 ose drejtpërdrejt. Mbrojtja e Krasniqit deklaroi se mënyrat e dëshmisë për dëshmitarët e saj mbeten të pandryshuara, përkatësisht dy dëshmitarë të Rregullës 153, dy dëshmitarë të Rregullës 154 dhe një dëshmitar i Rregullës 155”, është thënë në vendimin e trupit gjykues.

Që nga 15 shtatori do të fillojë dëshmia e dëshmitarëve të Hashim Thaçit, e më pas e Jakup Krasniqit. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet për ciklin…