
Gjysma e qytetarëve rrezikojnë të mbesin pa paga në vitin 2026
31 tetori është afati i fundit kur qeveria duhet të aprovojë ligjin për buxhetin e vitit 2026. Ligj ky i cili aprovohet në qeveri dhe miratohet në Kuvend. Ministria e financave, ditë më parë ka bërë të ditur se po e përgatit projekt-buxhetin për vitin 2026 dhe pret ta aprovojë brenda afateve ligjore. Por njohës të çështjeve ligjore ngrenë alarmin se ajo nuk ka të drejtë ta përgatis një ligj të tillë, meqë, sipas tyre qeveria aktuale në detyrë nuk e ka një mandat të tillë.
Hulumtuesi i institutit kosovar për drejtësi Naim Jakaj, përmend edhe vendimin e Gjykatës Supreme, i cili ka theksuar se ministrat e zgjedhur deputet nuk kanë të drejtë të marrin vendime.
“Ne do të hyjmë në një situatë të re që nuk e kemi pa më herët, sepse nuk kemi pasur një qeveri jo legjitime para se të aprovohet ligji për buxhetin, nëse nesër konstituohet kuvendi dhe vjen qeveria e re sërish nuk do të arrijë ta aprovojë brenda afateve ligjore dhe duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar dhe rrjedhimisht nuk do të kemi ndarje buxhetorë të duhura ku më së shumti do të preken komunat…”, tha Jakaj.
Ligji për buxhetin, e vitit 2026, duhet të aprovohet në qeveri më së largu në ditën e fundit të muajit tetor, ndërkohë që i njëjti duhet të kalojë në dy lexime më së largu deri më 31 dhjetor. Në të kundërtën, gjysma e qytetarëve në Kosovë rrezikojnë të mbesin pa paga, thotë njohësi i çështjeve të ekonomisë Lulzim Beqiri.
”Vlerësohet të jenë rreth 80 mijë punonjës që marrin paga direkt nga shteti, por ka edhe organe të tjera që janë të varura nga buxheti i shtetit dhe mund të themi se gjysma e qytetarëve mbesin pa paga, mbesim pa projekte kapitale të cilat në këtë kohë janë shumë të domosdoshme për Kosovën”, tha Beqiri.
Veç kësaj, për pasojë të mos formimit të institucioneve banka botërore ka parashikuar që Kosova të ketë rënie të zhvillimit ekonomik për vitin 2025 dhe 2026 nga mbi 4 përqind në vitin 2024 në 3.5 %. Ndërkohë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqiri, thotë se mos miratimi i buxhetit do të shkaktojë një barrë të rëndë për qytetarët në Kosovë
“Pavarësisht statistikave të bukura që na paraqiten, qytetarët e dinë realitetin sepse po ballafaqohen me të për ditë, me çmime të larta, me biznese të dëmtuara dhe mos miratimi i buxhetit do të shkaktonte një krizë edhe më të rëndë ekonomike e cila do të ndikojë edhe në aspekte të tjera siç janë investitorët e huaj potencial…”, tha Beqiri.
Ndryshe, si shkak i gjendjes ekonomike vlerësohet se nga Kosova për çdo vit largohen rreth 40 mijë qytetarë. Sipas statistikave të BE-së, në pesë vitet e fundit nga vendi janë larguar 210 mijë qytetarë. Ndërkohë, njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se ikja që po ndodhë në heshtje, përveç zbrazjes së Kosovës po shkatërron edhe fuqinë punëtore. /Rtv21