Gjysmë milioni euro për katër avokatë të Dhomave të Specializuara

08 prill 2021 | 16:50

Ministria e Drejtësisë ka aprovuar deri tash disa kërkesa për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Komisioni i cili funksionon brenda Ministrisë Drejtësisë, ka aprovuar kërkesat për katër avokatët mbrojtës të të akuzuarve dhe ka kryer pagesat për ta në vlerë prej 464,600.00 euro.

“Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe financiare bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe që këto të drejta janë të aplikueshme ndaj të gjithë personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara, pa marrë parasysh se kush është subjekt i procedurës pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë, raporton Rel.

Ministria ka thënë se deri tash nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga familjarët e të akuzuarve për ndonjë pagesë.

“Për shkak të masave anti-Covid në Evropë, respektivisht në Mbretërinë e Holandës, masat janë me rigoroze dhe nuk lejohen vizita tek qendrat e paraburgimit”, thuhet nga ministria.

Ministria e Drejtësisë, nuk ka dhënë detaje se sa para është paguar një avokat.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se Ministria e Drejtësisë duhet të jetë transparente se sa para janë shpenzuar dhe kujt i janë bërë pagesat.

Avokati Qelaj tha se vetëm në raste te caktuara me ligj nuk mund të bëhen publike shpenzimet e parave të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turneu i madh i Grand Slam-it në Roland Garros do…