
GLPS: Dështimi i krijimit të Qeverisë cenon Planin e Rritjes së BE-së për Kosovën
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se dështimi i krijimit të një kuvendi dhe të një qeverie funksionale tash e dy muaj, ndikon negativisht në të gjitha fushat e qeverisjes, por sot duam të tërheqim vëmendje në rrafshin e integrimit Evropian.
Në reagimin e tyre thuhet se në pamundësi objektive për hapjen e negociatave për anëtarësim, prioriteti i Kosovës në fushën e integrimit Evropian duhet të jetë Agjenda e Reformave e vendit, që është miratuar nga Komisioni Evropian në tetor 2024 dhe është dorëzuar për ratifikim në Kuvend më 4 dhjetor.
“Kjo Agjendë parasheh reforma të rëndësishme që përafrojnë vendin me BE-në, por po ashtu parasheh përkrahjen financiare të këtyre reformave. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme”, thuhet në reagim.
Tutje, GLPS dëshiron të rikujtojë se vendi ynë mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga kjo Agjendë në një periudhë tre-vjeçare, një ngritje substanciale nga vitet e kaluara.
“Ndërkaq, në momentin e ratifikimit, Komisioni Evropian është zotuar të ekzekutojë një parapagesë në vlerën prej 7% apo 61 milionë euro. Këto shifra janë shumë serioze për një vend me ekonominë e Kosovës. Në këtë kontekst, duhet gjithashtu të theksohet se ne ende jemi nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian që nga 28 qershori i 2023, pra për gati dy vjet. Dëmi ekonomik i këtyre masave me lehtësi ka tejkaluar shifrën prej 100 milionëve dhe po rritet për çdo ditë që ato janë në fuqi. Në kohën kur Komisioni Evropian ka hapur një derë për zbutjen e efekteve të këtyre masave, është papërgjegjësi e rëndë politike mos-shfrytëzimi i kësaj mundësie”, thekohet tutje.
Sipas, GLPS, situata rëndohet edhe më shumë duke marrë parasysh se në rast mosratifikimi deri në qershor, që përbën afatin e dytë të zbatimit të reformave, ka rrezik real për kthim në pikën zero sa i përket negocimit të marrëveshjes.
“Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve si dhe potencialisht rishpëndarje të tyre drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi Plani i Rritjes i BE-së parasheh klauzola të konkurrencës, sipas së cilës një vend që performon më mirë mund të përfitojë fondet e vendeve që kanë ngecje”, vijon reagimi.
GLPS konsideron që askush nuk ka të drejtë të mbajë peng procesin integrues të Kosovës dhe t’i mohojë vendit një përkrahje të tillë financiare.
“Aq më pak, kjo nuk duhet të ndodhë nga deputetët që kanë marrë besimin e popullit për të shtyrë përpara integrimin dhe jo për ta bllokuar atë. GLPS rikujton se procesi integrues është interes jetik dhe agjendë mbipartiake prandaj bën thirrje për unitet në çështje madhore. Ndaj, GLPS sot bën thirrje për themelim sa më të shpejtë të institucioneve dhe ratifikim e zbatim të menjëhershëm të Marrëveshjes së Planit të Rritjes. Vonesat në këtë aspekt, e aq shumë një zvarritje deri pas qershorit do t’i shkaktonin vendit potencialisht dëm qindra miliona euro dhe do t’i shkaktonin një dëm të pariparueshëm historik. GLPS i bën thirrje të gjitha forcave politike parlamentare për përgjegjësi politike dhe ecjen përpara me procese të rëndësisë jetike”.