GLPS-ja: Qeveria në largim ka marrë vendime të kundërligjshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

21 maj 2025 | 16:10

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar një analizë mbi veprimet e qeverisë Kurti 2 pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke vlerësuar se një numër vendimesh të marra nga kjo qeveri janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Sipas GLPS, nga 76 vendime të marra gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars, 13 prej tyre tejkalojnë kompetencat e një qeverie në largim, përfshirë emërime në pozita publike dhe miratimin e dokumenteve strategjike.

Po ashtu, GLPS ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të certifikuar si deputetë në mbledhjet e qeverisë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ më 27 mars, gjë që sipas tyre përbën shkelje të nenit 72 të Kushtetutës.

GLPS-ja i ka bërë thirrje institucioneve që të respektojnë kufizimet ligjore të qeverisë në largim dhe që çdo vendim i ardhshëm të merret vetëm nga një përbërje legjitime e ekzekutivit.

Po ashtu, GLPS si të kundërligjshme i ka konsideruar edhe vendimet me të cilat qeveria në largim, pavarësisht kufizimeve, i ka marrë lidhur me miratimin e koncept-dokumenteve dhe strategjive, të tilla si: Dokumenti Strategjik dhe Plani i Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme – NFH (early childhood intervention-eci) 2025-2030, Koncept-dokumenti për Shëndetin e Bimëve, Koncept-dokumenti për Bujqësi Organike etj.

Ndërsa duke qenë se nga data 27 mars 2025, kur në kundërshtim me Kushtetutën, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar zyrtarët me post ekzekutiv si deputetë të legjislaturës së IX-të, të njëjtit  duke shfrytëzuar mandatin kundër kushtetues si zyrtarëve me post ekzekutiv e njëkohësisht të certifikuar si deputetë kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në tri mbledhjet e radhës të Ekzekutivit.

Në këto takime janë marrë gjithsej 17 vendime, nga një kabinet qeveritar i cili në përbërjen e tij ka pasur kryeministër e ministra që në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, kanë prezantuar dhe kanë qenë pjesë e vendimmarrjes.  Rrjedhimisht, kjo nënkupton që secili nga këto vendime është i kundërligjshëm sepse është marrë nga një përbërje e ekzekutivit në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

Në këtë situatë me përbërjen e këtij kabineti qeveritar, GLPS-ja rekomanduar që mos të merren më vendime të cilat bien ndesh me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Bazuar në kufizimet e qeverisë në largim rekomandojmë që secili vendim i radhës të merret në një përbërje legjitime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani është ndër futbollistët më të…