GLPS-ja: Shkelja e Kushtetutës ka filluar nga 27 marsi
Grupi për Studime Juridike e Politike (GLPS) ka vlerësuar se shkelja e Kushtetutës së Kosovës për rastin e djeshëm në Kuvend, ka nisur nga 27 marsi.
Kjo datë ishte kur KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
GLPS-ja ka theksuar se nga 27 marsi ka pasur shkelje të Kushtetutës nga anëtarët e qeverisë të cilët janë zgjedhur deputetë.
“Gjendja kundër-kushtetuese ka filluar me datë 27 mars, kur Komisioni Qendror për Zgjedhje ka certifikuar si deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën, anëtar të cilët njëkohësisht mbanin post ekzekutiv. Në këtë kontekst, ‘Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes’ dhe ‘[kjo/ky e/i fundit] … nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike … dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv…’. Anëtarët me post ekzekutiv, nuk kanë qenë të obliguar për të dhënë dorëheqje, por që është dashur të zgjedhin cilin post dëshirojnë të mbajnë (apo asnjërin), por jo që të dy ato. Meqenëse disa deputetë të certifikuar më 27 Mars kanë gëzuar edhe post ekzekutiv, rrjedhimisht, me certifikimin e të njëjtëve nga ana e KQZ-së, edhe është shkelur Kushtetuta – gjendje kundër-kushtetuese që vazhdon edhe sot”.
“Bazuar në Nenin 70.3.3 të Kushtetutës, mandati i deputetëve që mbanin njëkohësisht post ekzekutiv, që nga certifikimi duhet të konsiderohet si ‘i pavlefshëm’/ ‘mbar[uar]’. Prandaj, as ndonjë verifikim eventual i mandateve së të njëjtëve nga Komisioni Verifikues i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të rikthej vlefshmërinë e këtyre mandateve. Meqenëse skena juridike në Kosovë herë-herë subordinohet ndaj konsideratave ekstra-juridike, ky qëndrim i GLPS-së nuk mund të jetë prognozë, por diagnozë. GLPS-ja garanton për saktësinë e këtij qëndrimi, por natyrisht se jo edhe për materializimin e të njëjtit”, është thënë në reagimin e GLPS-së.



