Godfrey: Marrëveshja në Uashington është zotim politik, jo ligjërisht e obligueshme

30 shtator 08:23

Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Anthony Godfrey, ka thënë se marrëveshjen e nënshkruar në Uashington e sheh si zotim politik e jo si një marrëveshje ligjërisht e obligueshme sepse ideja për një normalizim ekonomik është e rëndësishme dhe sjell shpresë që standardi i jetesës së njerëzve do të përmirësohet. “Unë e shoh si një përfitim dhe avantazh dhe jam shumë i lumtur që Richard Grenell dhe Adam Boehler kanë ardhur në Beograd shumë shpejt pas marrëveshjes së arritur në Uashington”, ka thënë Godfrey për televizionin “Nova”.

Godfrey ka thënë se Uashingtoni do t’i përmbushë premtimet e veta pasi hapi edhe zyrën e Agjencisë Amerikane për Zhvillim (DFC) në Beograd. “Ky është sinjal i qartë se ShBA-ja dëshiron rezultate nga marrëveshja për normalizim ekonomik. ShBA-ja dëshiron të arrijë një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit që do të pajtoheshin të dyja palët. Ne nuk mund të imponojmë një zgjidhje që do të jetë e përhershme, por duhet të vijë nga të dyja anët, të jetë në interesin e tyre dhe do të ketë kompromise nga të dyja palët”, ka thënë ai.

Ambasadori amerikan ka shtuar se normalizimi ekonomik nuk është një garë me BE-në, por një hap më tutje që kemi ndërmarrë ne në atë se çfarë është duke ndodhur në Bruksel dhe Bashkimi Evropian është udhëheqës i çështjeve politike. “Shpresoj që ne do ta mbajmë këtë momentum në marrëdhëniet serbo-amerikane dhe është një kënaqësi për të për ta bërë të qartë që Amerika shpreson që Serbia do të arrijë. Ne nuk dëshirojmë që Serbia të jetë në pozicion të shtypur, por dëshirojmë që të jetë shtet prosperues në paqe me fqinjët dhe të lëvizë drejt Evropës”, ka thënë ambasadori amerikan.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramush Haradinaj, para pak ditëve, në një emision televiziv pati…