Goditet rrjeti i prostitucionit në Tiranë, arrestohet një 20-vjeçar

09 korrik 2025 | 14:49

Një operacion policor i koduar “Crossline” ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që dyshohet se merrej me trafikim të shtetaseve të huaja për qëllime prostitucioni në Tiranë.

Policia e Shtetit ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se si rezultat i një hetimi disa mujor me metoda speciale, është arrestuar K.P., 20-vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me një shtetas kolumbian ende të paidentifikuar, për të trafikuar gra nga Kolumbia dhe Panama drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Crossline”, për goditjen e veprimtarisë krimininale të trafikimit të shtetaseve të huaja, me qëllim shfrytëzimin e tyre, për prostitucion.

Vihet në pranga një 20-vjeçar, punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij, i dyshuar shtetas kolumbian.

Procedohen penalisht 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), pasi janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, ky dyshohet se ushtronin prostitucion.

Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 7 celularë dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Si rezultat i një hetimi disamujor të kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Crossline”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. P. bashkëpunonte me një shtetas kolumbian, ende i paidentifikuar, për të trafikuar në Shqipëri, shtetase të huaja, kryesisht nga Kolumbia, për t’i shfrytëzuar për prostitucion.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), të moshave 27-35 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, në rrugën “Gjon Muzaka”, ky dyshohet se ushtronin prostitucionin.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shtetasit të arrestuar dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit pas uljes së temperaturave, ka vendosur që…