Goditje e madhe për UEFA-n, Real Madrid fiton në gjykatë dhe kërkon miliona euro dëmshpërblim
Real Madrid ka nisur një proces për të kërkuar dëmshpërblim të konsiderueshëm nga UEFA, pasi një gjykatë spanjolle ka dhënë një vendim në favor të klubit madrilen lidhur me çështjen e dështuar të “Superligës Evropiane”.
Klubi njoftoi se Gjykata Provinciale e Madridit ka hedhur poshtë apelimet e paraqitura nga UEFA, Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) dhe La Liga, duke konfirmuar se UEFA ka shkelur seriozisht rregullat e konkurrencës së lirë të Bashkimit Evropian, në përputhje me vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së (CJEU), duke abuzuar me pozitën e saj dominuese.
Real Madrid ishte një nga 12 klubet themeluese të projektit të Superligës në prill të vitit 2021, me presidentin Florentino Perez si një nga ideatorët kryesorë. Projekti u rrëzua vetëm pak ditë më vonë, pas protestave masive të tifozëve të klubeve angleze, ndërsa UEFA dhe FIFA e bllokuan menjëherë nismën dhe tentuan të ndëshkonin klubet pjesëmarrëse.
Në dhjetor 2023, Gjykata e Drejtësisë e BE-së vendosi se rregullat që UEFA përdori për të ndaluar Superligën ishin në kundërshtim me ligjin evropian. Si pasojë, UEFA miratoi rregulla të reja në vitin 2022, të cilat pretendon se janë në përputhje me standardet e BE-së.
Superliga, e ribranduar në vitin 2024 si “Unify League”, mbetet një projekt i pazgjidhur. Deri më tani vetëm Real Madrid dhe Barcelona janë zyrtarisht pjesë e saj, megjithëse raportet në Spanjë sugjerojnë se katalunasit po shqyrton tërheqjen e plotë.
Ky vendim gjyqësor i jep Real Madridit të drejtën të kërkojë kompensim financiar, por nuk garanton që kërkesa do të pranohet, ndërsa UEFA mbetet e qetë dhe e bindur se rregullat e saj të reja janë në fuqi dhe të ligjshme.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi këtë muaj një rezolutë që kundërshton “garat shkëputëse”, duke paralajmëruar se ato “rrezikojnë ekosistemin e përgjithshëm të sportit”.
Deklarata e plotë e Real Madrid
“Real Madrid CF shpreh kënaqësinë që Gjykata Provinciale e Madridit ka rrëzuar apelimet e UEFA-s, RFEF-së dhe La Ligës, duke konfirmuar se UEFA, në çështjen e Superligës, ka shkelur rëndë rregullat e konkurrencës së lirë të Bashkimit Evropian, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, duke abuzuar me pozitën e saj dominuese.
Ky vendim hap rrugën për të kërkuar dëmshpërblimin e konsiderueshëm që klubi ka pësuar.
Gjatë vitit 2025, Real Madrid ka zhvilluar disa bisedime me UEFA-n për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, por pa ndonjë kompromis për transparencë më të madhe, qëndrueshmëri financiare, mbrojtje të shëndetit të lojtarëve dhe përmirësim të përvojës së tifozëve, përfshirë transmetimet e lira dhe globale si në Kupën e Botës për Klube.
Klubi do të vazhdojë të punojë për të mirën e futbollit botëror dhe të tifozëve, duke kërkuar njëkohësisht kompensimin financiar që i takon”.
Reagimi i UEFA-s
“UEFA merr në dijeni vendimin e Gjykatës së Apelit të Madridit lidhur me të ashtuquajturën ‘Superligë’. Ky vendim nuk e legjitimon projektin e braktisur të vitit 2021, dhe nuk cenon rregullat aktuale të miratimit të garave ndërkufitare, të cilat mbeten plotësisht në fuqi pas përditësimeve të bëra në 2022 dhe 2024.
Këto rregulla sigurojnë që çdo garë e re të vlerësohet mbi baza objektive, transparente dhe jodiskriminuese.
UEFA do të analizojë me kujdes vendimin përpara se të ndërmarrë hapa të tjerë, por mbetet e përkushtuar ndaj modelit evropian të futbollit, të ndërtuar mbi meritën sportive, qasjen e hapur dhe solidaritetin.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me federatat, ligat, klubet, lojtarët, tifozët dhe autoritetet për të mbrojtur unitetin e futbollit evropian”./Telegrafi





