Golden Dome, mbrojtja e Trumpit kundër raketave

23 maj 2025 | 08:42

Sistemi i ri amerikan i mbrojtjes raketore, “Golden Dome”, pritet të jetë gati brenda tre vjetësh dhe do të jetë i aftë të kapë raketat nga hapësira. Ai është i bazuar në sistemin izraelit.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka përsëri plane të mëdha: siç njoftoi gjatë fushatës zgjedhore, ai dëshiron të instalojë një sistem të ri mbrojtës nga raketat për të mbrojtur SHBA nga kërcënimet nga ajri dhe madje edhe nga hapësira. “Kupola e Artë” do të kushtojë të paktën 175 miliardë dollarë dhe do të përfundojë deri në fund të mandatit të tij në janar 2029, tha Trumpi. Sipas Pentagonit, SHBA përballen me një kërcënim në rritje nga Rusia dhe Kina.

Megjithatë, kritikët paralajmërojnë për kosto tepër të larta dhe një afat kohor jorealist. Ligjvënësit demokratë kanë shprehur gjithashtu shqetësim në lidhje me procesin e prokurimit dhe për përfshirjen e mundshme të SpaceX, kompanisë në pronësi të aleatit të Trumpit, Elon Musk. Projekti ka shkaktuar gjithashtu zemërim ndërkombëtar: Kina e ka kritikuar projektin se rrezikon “ekuilibrin dhe stabilitetin strategjik global”.

Si mund të funksionojë kupola mbrojtëse?

Thuhet se Kupola e Artë (Golden Dome) është modeluar sipas Iron Dome, Kupolës së Hekurt izraelite. Sistemi izraelit ka qenë në përdorim që nga marsi i vitit 2011 dhe kap raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe predha artilerie. Ai përbëhet nga tre komponentë: një njësi radari, një qendër kontrolli dhe një lëshues raketash. Një ndryshim i madh nga “Kupola e Artë” e Trumpit: Kupola e Hekurt (Iron Dome) izraelite është projektuar për t’u mbrojtur nga raketat me rreze të shkurtër veprimi dhe për të mbrojtur një territor të vogël. Për më tepër, ai është një sistem i lëvizshëm që mund të vendoset në shumë vende.

Versioni amerikan duhet të jetë gjithashtu në gjendje të mbrohet kundër raketave ndërkontinentale të armatosura me armë bërthamore. Kjo lidhet me planet e SHBA të kohës së Presidentit Ronald Reagan (1981-1989). Ai donte një mburojë raketore bazuar në serinë e filmave “Lufta e Yjeve”, e cila do të përfshinte sisteme interceptorësh në hapësirë.

Projekti hapësinor i Trumpit synon të krijojë një rrjet satelitësh për të diktuar, ndjekur dhe ndoshta për të kapur raketat që vijnë për shembull nga Rusia ose Kina.  Kupola mbrojtëse thuhet se mund të përfshijë qindra satelitë për zbulimin dhe ndjekjen e raketave.

Sipas Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Pete Hegseth, mburoja e planifikuar synon të “mbrojë atdheun nga raketat e kryqëzorëve me koka mbushëse, raketat balistike, raketat hipersonike dhe dronët, pavarësisht nëse janë raketa konvencionale apo bërthamore”. Ende nuk është e qartë se cilat teknologji do të përdoren.

“Kupola e Hekurt” Greke

Përveç Shteteve të Bashkuara, edhe vende të tjera janë frymëzuar nga Kupola e Hekurt, ose të paktën e përdorin atë si një slogan efektiv mediatik për sistemin e tyre. Sipas gjeneralit brigadë izraelit në pension, Shachar Shohat, si pasojë ka edhe shumë konfuzion. Iron Dome është bërë një “markë si Coca-Cola, të cilën të gjithë e përdorin tani sepse është kaq e suksesshme”, tha ai në një intervistë me revistën ushtarake Defense News.

Në fund të vitit 2024, Greqia njoftoi se do ta zgjeronte ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes dhe do të ndërtonte një kupolëw mbrojtëse – të ngjashme me Kupolën e Hekurt – për t’u mbrojtur nga dronët dhe raketat, pasi përparimi në sistemin e mbrojtjes ajrore European Sky Shield rezultoi shumë i ngadaltë. Megjithatë, Kupola e Hekurt e Greqisë ndryshon nga sistemi i mbrojtjes raketore mobile të Izraelit sepse kërcënimi është i ndryshëm, shpjegoi Ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias. Greqia duhet të mbrohet në veçanti nga sulmet me dronë.

Vende të tjera treguan interes për vetë sistemin e Kupolës së Hekurt (Iron Dome). Sipas Pieter Wezeman, studiues në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), në revistën amerikane Newsweek 2023:këto përfshijnë Rumaninë dhe Qipron në vitin 2022, Azerbajxhanin në vitin 2016, Korenë e Jugut në vitin 2012, Indinë në vitin 2010 dhe Singaporin në vitin 2009, por India dhe Koreja e Jugut në fund të fundit nuk vazhduan me këto plane dhe në rastet e tjera nuk ka konfirmim të porosive ose dërgesave aktuale.

European Sky Shield Initiative: “e njëjta logjikë”

Krahasimi me Kupolën e Hekurt është bërë edhe në shkallë evropiane. Me Iniciativën e Mburojës Evropiane të Qiellit (ESSI) (European Sky Shield) lindi në vitin 2022 një projekt evropian i mbrojtjes ajrore dhe raketore Qëllimi i Sky Shields, mburojave të qiellit është të ofrojë sisteme mbrojtëse me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë veprimi në mënyrën më të koordinuar të mundshme për të adresuar të gjitha kërcënimet ajrore.Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, tashmë janë bashkuar me këtë iniciativë 23 shtete.

Kështu, Sky Shield ndjek “të njëjtën logjikë” si sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore, tha për Agjencinë Austriake të Shtypit zëvendësshefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Austriake, gjenerallejtënant Bruno Hofbauer. Të dy mburojat mbrojtëse synojnë të luftojnë kërcënimet ajrore në disa nivele. /DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të shmangur futjen e tarifave prej 20 për qind…