“Google” njofton për një arritje historike në teknologji

24 tetor 2019 | 12:19

Kompania “Google” ka  njoftuar për një arritje historike në teknologji. Firma tha se një procesor eksperimental kuantesh ka përfunduar në pak minuta një llogaritje mjaft të komplikuar, për të cilën një super kompjuteri tradicional do t’i duheshin 10 mijë vjet.

Gjiganti i teknologjisë njoftoi të mërkurën një përparim në llogaritjet me kuante që i përkasin një brezi të ri kompjuterash.

Ekspertët thonë se kjo mund të çojë në përparime të mëdha në inteligjencën artificiale, në thyerjen e kodeve, transportin dhe zhvillimin e ilaçeve.

Një kompani rivale, IBM, e vuri në diskutim një element kryesor në pretendimin e firmës “Google”.

Megjithëse dobia e një procesori që kryen një llogaritje të vetme mund të jetë e kufizuar, kompania “Google” tha se ky është vetëm hapi i parë.

“Avioni i parë fluturoi vetëm 12 sekonda, dhe kjo nuk kishte asnjë zbatim praktik. Por ajo tregoi mundësinë se një aeroplan mund të fluturonte,” tha shefi ekzekutiv i “Google”, Sundar Pichai

Llogaritja kuantike bazojet në fizikën kuantike dhe është një teknologji për përpunimin shumë më të shpejtë të informacionit. Kompjuterët bashkëkohorë përdorin rryma elektrike ose pulse optike që përfaqësojnë njësha ose zero të quajtura “bite”. Informacioni që përpunojnë kompjuterët e sotëm përbëhet nga vargje të gjata shifrash binare njësha dhe zero.

Një kompjuter kuantik funksionon ndryshe. Ai përdor “qu-bite”, të cilat janë grimca nënatomike, si elektronet ose fotonet që manipulohen për të siguruar më shumë fuqi përpunimi dhe shpejtësi më të mëdha sesa ato që mund të arrihen me anë të biteve, njëshave dhe zerove.

“Google” thotë se ka arritur “epërsinë kuantike” – zgjidhjen e një problemi përtej mundësive të kompjuterave të fuqishëm tradicionalë, një synim për të cilin po përpiqen prej kohe kompanitë e teknologjisë së lartë dhe grupet e ndryshme kërkimore.

Një kompani e tillë, IBM, e vuri në pikëpyetje pretendimin e firmës “Google” për epërsi kuantike, duke thënë se një kompjuter bashkëkohor mund ta kishte zgjidhur po aq mirë problemin në vetëm dy ditë e gjysmë, jo në 10 mijë vjet siç thotë “Google”.

IBM vuri në dukje se epërsia kuantike arrihet kur “kompjuterët kuantikë mund të bëjnë gjëra që kompjuterët klasikë nuk i bëjnë dot”. IBM tha se “Google” nuk e ka përmbushur këtë synim, pavarësisht se kreu një “sfidë të jashtëzakonshme”, siç e quajti IBM./voa/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në top-10 janë edhe SHBA, Franca, Holanda dhe Gjermania. Në…