Grabitet banesa e legjendës Platini, zhduken trofe dhe medalje

18 korrik 2025 | 16:48

Një ngjarje e pakëndshme ka tronditur ish-‘yllin’ e futbollit francez, Michel Platini, mëngjesin e së premtes. Shtëpia e tij në zonën Bouches-du-Rhône, në jug të Francës, është grabitur rreth orës 05:30, duke shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe tronditje emocionale për legjendën e “Les Bleus”.

Sipas burimeve të RTL, Platini ka parë me sytë e tij një person të maskuar, të veshur me të zeza, pranë dritares së madhe të banesës së tij. Menjëherë pas kësaj, ai ka zbuluar se rreth njëzet trofe dhe medalje, të cilat i mbante të ruajtura në një kënd të kopshtit, janë zhdukur.

Prokuroria e Marsejës ka konfirmuar hapjen e një hetimi për “thyerje me dhunë në banesën e Michel Platini-së”, ndërsa autoritetet janë duke punuar për të përcaktuar vlerën dhe përmasat e plotë të dëmit.

Fatmirësisht, Platini nuk ka pësuar lëndime fizike, edhe pse ngjarja e ka tronditur thellë. Ish-mesfushori francez zotëron një nga palmaresët më të pasur në historinë e futbollit francez: tre Topa të Artë, Kampion Europe më 1984, fitues i Ligës së Kampionëve me Juventusin më 1985, si dhe disa tituj kombëtarë në Itali dhe Francë.

Vetëm një javë më parë, Platini ishte takuar në Aix-en-Provence me disa nga kampionët e botës të vitit 1998 për të festuar 27-vjetorin e triumfit të parë të Francës në Kupën e Botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt dhe pesë homologë…