Grabitja e kasafortës prej 18.500 eurosh në Sheshin “Nëna Terezë” – arrestohen dy të dyshuar

30 korrik 2025 | 09:36

Pas më shumë se dy muaj hetimesh intensive, Policia e Kosovës ka zbardhur një grabitje të rëndë të ndodhur në zemër të Prishtinës. Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në rastin e grabitjes së një sefi me para në vlerë prej 18.500 eurosh nga një lokal afarist në Sheshin “Nëna Terezë”.

Ngjarja kishte ndodhur më 21 maj 2025 rreth orës 03:09 të mëngjesit, kur tre persona të maskuar kishin hyrë në lokalin afarist dhe kishin marrë një kasafortë që përmbante një shumë të konsiderueshme të hollash.

Pas një pune të përbashkët hetimore ndërmjet njësive të policisë së Prishtinës dhe Gjilanit, të mbështetur edhe nga masat e veçanta të hetimit, më 29 korrik 2025, janë lokalizuar dhe arrestuar dy nga të dyshuarit: Gëzim Ibrahimi, rreth 35-vjeçar – i arrestuar në qytetin e Gjilanit, Milaim Krasniqi, rreth 46-vjeçar – i arrestuar në Prishtinë, pas kontrollit dhe bastisjes në adresën e tij.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar në Sektorin e Hetimeve të Policisë së Kryeqytetit në Prishtinë, në prani të avokatëve të tyre mbrojtës, dhe me urdhër të Prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë ndaluar për 48 orë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), të hënën…