MTI nis procedurat për privatizim të “Grand Hotel”-it

16 nëntor 2020 | 08:17

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka filluar procedurat për t’iu ofruar ndërmarrjen shoqërore “Grand Hotel” në Prishtinë investitorëve privatë. Kjo procedurë ka filluar sipas Ligjit për Investime Strategjike. Megjithatë, një nismë e tillë po kundërshtohet nga ish-blerësi i këtij hoteli.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Vesel Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për këtë proces kanë tre investitorë të interesuar. “Deri në këtë fazë komisioni ndërministror i ka shqyrtuar këta investitorë. Tani do të formohet grupi operacional për t’i shqyrtuar këto aplikacione”, thotë Krasniqi.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij procesi.

“Grand Hotel”-i në vitin 2006, në valën e tetë të privatizimit, ishte blerë nga Zylqif Berisha, pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’.

Hoteli, si ndërmarrje shoqërore, ishte shitur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në një vlerë mbi 8 milionë euro, ndërkaq kontrata obligonte blerësin e “Grand Hotel”-it që të bënte investime në vlerë prej mbi 20 milionë eurosh dhe t’i punësonte 570 punëtorë.

Por, më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte konstatuar se blerësi nuk kishte realizuar zotimet dhe një gjë e tillë kishte nxitur procese gjyqësore mes blerësit të “Grand Hotel”-it dhe AKP-së.

Pas shumë proceseve gjyqësore, në vitin 2012 AKP e kishte kthyer këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

Armend Berisha, përfaqësues i blerësit të kësaj ndërmarrje shoqërore, tha se ende janë në procese gjyqësore lidhur me “Grand Hotel”-in dhe se askush nuk ka të drejtë të privatizojë apo të ndërmarrë çfarëdo veprimi për këtë ndërmarrje.

“Pasi që t’i shtjerrim të gjitha mundësitë në gjykata në Kosovë, do të vazhdojmë me arbitrazh të jashtëm. Pagesat që ne i kemi bërë për blerjen e Hotelit i kemi në AKP. Ne kemi bërë investime shtesë dhe nuk janë kthyer ato. Gjithë kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund”, tha ai.

“Ne e kemi njoftuar me shkrim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që jemi në proces gjyqësor. Kjo pronë është në kontest dhe nuk mund të jetë objekt i shitjes”, shtoi Berisha.

Nga zyra për informim e AKP-së kanë thënë se të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të AKP-së.

“AKP është duke administruar me këtë hotel i cili është i gatshëm për t’u ofruar për privatizim, qoftë edhe përmes Ligjit për Investime Strategjike. AKP po koordinohet me Qeverinë e Kosovës për gjetjen e investitorëve relevantë nga fusha e hotelerisë në privatizimin e ‘Grand Hotel’-it, aset ky i një rëndësie të veçantë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dërguar për REL.

Bordi i drejtorëve i AKP-së thuhet se do ta trajtojë me kujdes rëndësinë e këtij aseti për ekonominë e Kosovës dhe do të marrë vendim për hapat e ardhshëm.

Ligji për Investime Strategjike, përmes të cilit po synohet të privatizohet “Grand Hotel”-i, pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për ta fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.

Prioritet për përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji, iu jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.

“Grand Hotel”-i ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe përafërsisht 32.000 m2. Hoteli është i pajisur me objekte të tjera: restorant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.

Aktualisht, në hapësirat e “Grand Hotel”-it operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese e të tjera. Në vitet ’70 “Grand Hoteli” njihej si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues nga 44 shtete, më 16 nëntor 1945, u mblodhën…