 
                    Granit Xhaka mahnit Premier Leaguen, lider absolut te Sunderlandi
Granit Xhaka po kalon një periudhë fantastike në Premier League. Me Sunderland, ekipi që vetëm këtë sezon u ngjit në elitën e futbollit anglez, mesfushori i Kombëtares zvicerane po përjeton një valë suksesi të papritur. Pas një fillimi të shkëlqyer sezonal, “Black Cats” renditen ndër katër skuadrat më të mira të kampionatit dhe një pjesë e madhe e meritës mban firmën e kapitenit të tyre, Granit Xhaka.
Sipas të dhënave të publikuara nga “BBC”, Xhaka kryeson pothuajse çdo statistikë të rëndësishme brenda skuadrës. Ai ka realizuar më shumë pasime brenda zonës, ka krijuar më shumë raste për gol, ka fituar më shumë duele fizike, ka rikuperuar më shumë topa dhe ka bërë numrin më të madh të pasimeve në total. Me pak fjalë, 33-vjeçari është zemra dhe truri i lojës së Sunderlandit.
Edhe në rang lige, kontributi i Xhakës është mbresëlënës: ai ka përshkuar më shumë kilometra se çdo lojtar tjetër në Premier League këtë sezon, një arritje e jashtëzakonshme për një futbollist në moshën e tij. Me profesionalizëm dhe përkushtim shembullor, Granit Xhaka po e udhëheq Sunderlandin drejt një sezoni që tashmë po quhet “histori suksesi” në futbollin anglez.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        