Granit Xhaka me Zvicrën zbarkuan në Beograd nën kujdesjen e sigurimit zviceran

25 mars 2023 | 09:39

Kombëtarja e Zvicrës ka zbarkuar në Serbi mbrëmë.

Granit Xhaka me shokë u panë duke dalë nga aeroporti i Beogradit për ta vazhduar me autobus rrugën drejt Novi Sadit, aty ku u vendosën mbrëmë.

Futbollisti kosovar me shokë kanë qenë nën kujdesje të sigurimit zviceran gjatë tërë kohës, ndërsa janë përcjellë drejt qytetit ku do të luajnë nga policia serbe.

Mediumi zviceran “Blick” ka raportuar se nuk ka pasur asnjë incident dhe asnjë problem në mbërritjen e “Nati” në Serbi.

Natyrisht, fokusi i të gjithëve ishte tek Xhaka, i cili është mjaft i urryer në Serbi për shkak të reagimeve të tij me shqiponjë pas golit të shënuar ndaj Serbisë në Botërorin e Rusisë më 2018 dhe për shfaqjen e fanellës “Jashari” pas fitores ndaj serbëve në Botërorin e Katarit 2022.

“Duke i pasur parasysh ato që kanë ndodhur në të kaluarën, kapiteni i Kombëtares është i blinduar në aeroportin e Beogradit, rrugës për në autobusin te ekipit. Federata Zvicerane ka qenë e vetëdijshme për një kohë të gjatë se Xhaka, si një figurë jo e dashur për serbët, ka nevojë për mbrojtje të veçantë. Megjithatë, në aeroportin e Beogradit krejt frika u zhduk shpejt. Përveç disa gazetarëve nga Zvicra, askush nuk është interesuar për Kombëtaren”, shkruan mediumi zviceran “Blick”.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, ekipi është vendosur gjysmë ore larg Novi Sadit, ndërsa përpos disa qenve që lehën, askush nuk bëri zhurmë në zonën përreth hotelit luksoz ku është vendosur skuadra e trajnerit Murat Yakin.

Zvicra do të luajë sot me Bjellorusinë në Novi Sad në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024.

Bjellorusët nuk kanë të drejt të luajnë në territorin e tyre shkaku i përfshirjes indirekte në luftën e Rusisë në Ukrainë, prandaj e zgjodhën Serbinë për t’u përballur me zviceranët.

Kjo ndeshje do të fillojë në orën 18:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr i madh e ka kapluar Elkos Group në…