Granit Xhaka, synimi i Tares te Milani

06 qershor 2025 | 15:36

Granit Xhaka te Milani, sipas raportimeve nga Italia, nuk është vetëm një spekulim vere.

Krahas Luka Modriqit, kuqezinjtë kanë hedhur sytë drejt një tjetër mesfushori me përvojë – Granit Xhakës.

Trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, njihet për preferencën e tij ndaj lojtarëve me eksperiencë, dhe kjo po reflektohet qartë në strategjinë e merkatos. Marrëveshja me Modric, që do të mbushë 40 vjeç javën e ardhshme, është konfirmuar, dhe mesfushori kroat pritet të kryejë vizitat mjekësore në ditët në vijim.

Në këtë frymë, ka nisur edhe një qasje e kujdesshme ndaj Granit Xhakës, liderit të mesfushës së Bayer Leverkusen dhe Kombëtares së Zvicrës. 32-vjeçari ka zhvilluar një sezon mbresëlënës në Bundesliga, ku regjistroi 49 paraqitje në të gjitha kompeticionet, me 2 gola dhe 7 asistime, duke qenë një prej shtyllave të skuadrës kampione nën drejtimin e Xabi Alonso.

Xhaka është nën kontratë me Leverkusen deri në qershor të vitit 2028, por sipas gazetarit të njohur të merkatos, Matteo Moretto, Milani po shqyrton seriozisht mundësinë për ta afruar, ndonëse gjithçka është ende në fazat fillestare dhe nuk ka pasur ende kontakt zyrtar mes palëve.

Nëse operacioni konkretizohet, kuqezinjtë do të formonin një dyshe tejet të pasur me përvojë në mesfushë – Modric dhe Xhaka – duke ndjekur pikërisht filozofinë e Allegrit për stabilitet dhe maturi në organizimin e lojës.

Mbetet për t’u parë nëse Milani do të arrijë të bindë Leverkusenin dhe vetë Xhakën për këtë projekt të ri, që duket se po ndërtohet me ambicie të qarta për rikthimin në majat e futbollit europian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas fitores spektakolare 5-4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e “UEFA…