
Grenelli: E turpshme që Hashim Thaçi po mbahet në burg, Haga është e rrënuar
Richard Grenell ka rikujtuar edhe një herë se ishte prokurori Jack Smith ai që kishte urdhëruar arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një postim në platformën “X”, Grenelli ka theksuar se arrestimi i Thaçit kishte ndodhur në vitin 2020, pikërisht në kohën kur administrata Trump po angazhohej intensivisht për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Jack Smith (po, ai) e arrestoi Hashim Thaçin në vitin 2020, në kohën kur Donald Trump ishte duke punuar për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Është e turpshme që ai ende gjendet në burg. Është një mashtrim. Haga është e rrënuar”, ka shkruar Grenelli.
Ish-presidenti Thaçi ishte arrestuar vetëm pak javë përpara se Kosova dhe Serbia të nënshkruanin marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të vitit 2020.