
Grenelli sqaron pikën e marrëveshjes për Ujmanin
Emisari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë për mediet amerikane ka shpjeguar marrëveshjen për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Grenelli ka thënë se qëllimi i administratës Trump është të mundësojë investime amerikane në rajon për të larguar ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor specifikisht në Serbi.
Diplomati amerikan ka thënë se pika ku flitet për liqenin e Ujmanit ka të bëjë me studimin e fizibilitetit nga qeveria amerikane për të parë mundësitë e shfrytëzimit të ujit për qëllime energjetike.
“Ne do bëjmë një studim fizibiliteti të qeverisë amerikane në liqe që është i shfrytëzuar nga dy shtetet, pjesa më e madhe nga Kosova dhe pjesërisht nga Serbia se si të gjendet mënyra për të shfrytëzuar ujin për çështje të energjisë”, ka thënë Grenell.
Më tutje, ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka thënë se dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë.
“Dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë që do të thotë të largohet nga Rusia”, ka thënë ai, duke shtuar se lëvizja e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem do të thotë lëvizje e rajonit të Ballkanit Perëndimor në anën e Perëndimit dhe qëndrimit larg Rusisë dhe Kinës.