Grenlanda zgjedh Danimarkën para ShBA-së, thotë kryeministri i vendit
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, përsëriti se vendi i tij nuk është në shitje dhe këmbënguli se, nëse territori do të duhej të zgjidhte, do të “zgjidhte Danimarkën para ShBA-së”.
“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: Grenlanda nuk dëshiron të zotërohet nga SHBA-ja, Grenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga ShBA-ja, Grenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e ShBA-së. Ne zgjedhim Grenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha ai, shkruan The Guardian.
Ndërkaq, Frederiksen e Danimarkës thotë se “nuk ka qenë e lehtë” për Danimarkën të “rezistojë ndaj presionit krejtësisht të papranueshëm nga aleati ynë më i ngushtë”.
Por ajo paralajmëron me zymtësi se “ka shumë prova se pjesa më e vështirë tani na pret”.
Ajo shton gjithashtu se në lojë është “diçka më themelore”, ndërsa Danimarka përballet me nevojën për të mbrojtur parimet se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë … ose duke blerë një popull tjetër dhe se vendet e vogla nuk duhet të kenë frikë nga vendet e mëdha”.
Kryeministrja daneze thekson se Danimarka “nuk po kërkon konflikt, por mesazhi është i qartë: Grenlanda nuk është në shitje”.
Ajo shton se NATO duhet ta “mbrojë Grenlandën po aq sa çdo milimetër tjetër të territorit të NATO-s”.



