Greva e kontrollorëve të trafikut ajror po ndërpret udhëtimet drejt, nga dhe mbi Francën

04 korrik 2025 | 11:04

Rreth 40 për qind e fluturimeve u anuluan të premten në të gjitha aeroportet e Parisit dhe dhjetëra mijëra pasagjerë u detyruan të riorganizojnë planet në kulmin e sezonit veror të udhëtimeve, për shkak të një greve të kontrollorëve francezë të trafikut ajror që po kërkojnë kushte më të mira pune.

Ndërprerjet nisën të prekin aeroportet në të gjithë Francën që të enjten dhe u intensifikuan të premten. Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil u kërkoi kompanive ajrore të anulonin 40 për qind të fluturimeve të së premtes në aeroportet Charles de Gaulle, Orly dhe Beauvais që shërbejnë Parisin, gjysmën e fluturimeve në Nice dhe 30 për qind të fluturimeve në Marseille, Lyon dhe disa qytete të tjera, raporton Rel.

Pavarësisht anulimeve parandaluese, autoriteti paralajmëroi në një deklaratë se “priten ndërprerje dhe vonesa të gjata në të gjitha aeroportet franceze”.

Ryanair ishte mes kompanive ajrore që njoftuan ndërprerje të gjera, duke thënë në një deklaratë se kishte anuluar mbi 400 fluturime, duke prekur 70,000 pasagjerë. Kompania tha se greva ndikon në të gjitha fluturimet e saj mbi hapësirën ajrore franceze, si dhe në trafikun që hyn dhe del nga aeroportet franceze, dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të reformojë rregullat e trafikut ajror.

Një nga dy sindikatat që po udhëheqin grevën, UNSA-ICNA, tha në një deklaratë se nuk ka mjaftueshëm punonjës për të përballuar rritjen e trafikut ajror dhe se inflacioni po gërryen pagat. Sindikatat po ashtu po kundërshtojnë masat e reja të reformës që synojnë mbikëqyrje më të rreptë të punës së tyre, të nxitura nga një pothuajse përplasje që ndodhi në aeroportin e Bordeaux-it.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, e quajti të “papranueshme” kërkesat e sindikatës, dhe vendimin e tyre për të hyrë në grevë pikërisht kur mbyllen shkollat në Francë dhe shumë familje nisen për pushime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koha e Edon Zhegrovës te Lille ka përfunduar. Sulmuesi dardan…