Greva është e pashmangshme nëse nuk reflekton Qeveria

11 prill 18:02

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e përgjithshme e paralajmëruar për 13 prill në arsim është e pashmangshme nëse Qeveria nuk e plotëson kërkesën e tyre. Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që deri të premten ta vendosë në rend të ditës Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë dhe ta ndalë grevën e paralajmëruar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Jasharaj ka thënë se askush në sindikatën që drejton nuk e do grevën, por është Qeveria ajo që duhet të veprojë e të reflektojë si duhet. “Nëse deri më 13 prill Qeveria nuk reflekton dhe nuk i jep dritë të gjelbër Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës dhe nuk e procedon për në Kuvend atëherë do të fillohet më 13 prill me grevën në kohë të pacaktuar, gjegjësisht deri në realizimin e kërkesave të anëtarësisë së SBAShK-ut”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka deklaruar se përgjegjësinë për grevën do ta mbajë Qeveria që deri më tani nuk e ka marrë seriozisht kërkesën e tyre. “Historiku i këtij ligji daton që nga prilli i vitit 2013 kur Kuvendi ka debatuar për të dhe ka autorizuar MAShT-in që brenda tre muajve ta përgatisë këtë ligj dhe ta dërgojë në Kuvend. Ja u bënë plot pesë vjet nga ajo kohë dhe ligji ende nuk është proceduar në Kuvend. SBAShK-u ka pritur mjaft”, është shprehur ai.
Jasharaj nuk ka dashur të flasë për ndikimin që mund të ketë kjo grevë në testin PISA-s dhe atë të maturës. “Ne ua kemi bërë me dije edhe përmes shkresave zyrtare institucioneve se nëse fillon greva atëherë nuk ka mësim e as ndonjë aktivitetet tjetër. Këtë alarm e kemi bërë edhe përmes medieve gjithnjë duke alarmuar Qeverinë të veprojë dhe të reflektojë. Qeveria mund dhe duhet të veprojë pa ardhur 13 prilli”, është shprehur Jasharaj.

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, SBAShK-u ka paralajmëruar grevë më 13 prill në të gjitha shkollat e Kosovës. Keni hequr dorë nga kjo grevë?
Jasharaj: Jo, nuk kemi hequr dorë. Duhet të sqaroj se në SBAShK-u për veprime sindikale, pra për greva nuk vendos individë, po janë organet e SBAShK-ut ato që vendosin. Konkretisht Kongresi i SBAShK-ut, më 24 shkurt, veç të tjerash, delegatët nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga universitetet e kanë votuar një rezolutë për veprime sindikale dhe ajo është obligative për kryetarin dhe për kryesinë. Kjo rezolutë ka saktësuar se nëse deri më 13 prill Qeveria nuk reflekton dhe nuk i jep dritë të gjelbër Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës dhe nuk e procedon për në Kuvend atëherë do të fillohet më 13 prill me grevën në kohë të pacaktuar, gjegjësisht deri në realizimin e kërkesave të anëtarësisë së SBAShK-ut. Qeveria duhet të reflektojë dhe ta vë në rend dite këtë projektligj sa nuk ka ardhur 13 prilli, në të kundërtën i tërë sistemi arsimor në Kosovë do të jetë në grevë dhe për këtë përgjegjësinë e kanë institucionet që nuk po veprojnë, edhe pse kanë pasur mjaft kohë për këtë. Historiku i këtij ligji daton që nga prilli i vitit 2013 kur Kuvendi ka debatuar për të dhe ka autorizuar MAShT-in që brenda tre muajve ta përgatisë këtë ligj dhe ta dërgojë në Kuvend. Ja u bënë plot pesë vjet nga ajo kohë dhe ligji ende nuk është proceduar në Kuvend. SBAShK-u ka pritur mjaft.

“Epoka e re”: Keni pasur takim me ministrin Bytyqi për këtë çështje dhe cili ka qenë qëndrimi i tij?
Jasharaj: Po, kemi pasur takim me ministrin Bytyqi. Ai ka kërkuar mirëkuptim nga ne, duke thënë se është mirë të mos ketë grevë, por ne i kemi treguar se greva nuk është dëshirë e jona. Kemi pritur mjaft kohë dhe i kemi dhënë hapësirë të mjaftueshme dialogut, por ja që dialogu nuk ka dhënë asnjë rezultat dhe se greva është vendim i Kongresit. Askush nuk mund të ndryshojë a mohojë një vendim të tillë.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat e juaja?
Jasharaj: Kërkesa jonë kyçe është që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip dhe të Republikës së Kosovës të jetë në rend dite në takimin e Qeverisë dhe të procedohet në Kuvend. Kemi edhe kërkesat që të jemi të angazhuar në komision për përgatitjen e Ligjit për pagat dhe për Ligjin e punës. Jam i sigurt se edhe do të jemi të përfshirë në këto komisione dhe se do të dëgjohen e aprovohen kërkesat tona.

“Epoka e re”: Tani fillon testi Pisa, po ashtu edhe Testi i maturës. Mund të ndikojë greva në këto procese të rëndësishme?
Jasharaj: Ne ua kemi bërë me dije edhe përmes shkresave zyrtare institucioneve, se nëse fillon greva atëherë nuk ka mësim e as ndonjë aktivitetet tjetër. Këtë alarm e kemi bërë edhe përmes medieve, gjithnjë duke alarmuar Qeverinë të veprojë e të reflektojë. Qeveria mund dhe duhet të veprojë pa ardhur 13 prilli.

“Epoka e re”: Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kundërshtuar paralajmërimin e juaj për grevë, me arsyetimin se me këto veprime po pësojnë më së shumti fëmijët. Keni menduar për pasojat që mund t’i këtë greva?
Jasharaj: Ne as edhe një herë nuk e kemi dashur grevën dhe për këtë i kemi dhënë hapësirë dialogut dhe takimeve me institucionet. Opinioni e di se edhe veprimet sindikale i kemi bërë deri tani të përshkallëzuara, greva njëorëshe, pastaj greva dyorëshe pas disa ditësh, pastaj më 12 mars greva njëditëshe e duke i dhënë kohë Qeverisë nga 12 marsi deri tani të veprojë. Do të ishim njerëzit më të lumtur sikur Qeveria tani të vepronte duke i dhënë dritë të gjelbër Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës para se do të vijë 13 prilli dhe në këtë mënyrë do të na hiqej të gjithëve një barrë kaq e rëndë. SBAShK-u nuk i ka dashur e as nuk i do grevat, por është Qeveria ajo që duhet të veprojë e të reflektojë si duhet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, ka marrë…