
Griezmanni rinovon me Atleticon: Shpresoj t’ju sjell shumë gëzim
Antoine Griezmann ka rinovuar kontratën e tij deri më 30 qershor 2027, duke zgjatur kështu afatin e mëparshëm të caktuar për vitin 2026 me një sezon tjetër.
Në këtë mënyrë, klubi madrilen largon thashethemet për një lamtumirë të mundshme të hershme, ose më keq akoma për një transferim të lirë pas 12 muajsh. Griezmann do të vazhdojë të fitojë 8 milionë euro neto të parashikuara nga marrëveshja aktuale.
Francezi u dërgoi një mesazh tifozëve të Atleticos pas zyrtarizimit të lajmit: “Jam shumë i lumtur që do ta vesh këtë fanellë të mrekullueshme edhe për shumë vite dhe shpresoj t’ju sjell shumë gëzim. Një përqafim i madh. Ju dua”. Griezmann mbërriti te Atletico në sezonin 2014-15 dhe pas nëntë sezonesh është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit bardhekuq me 197 gola. Ai është gjithashtu lojtari i tetë që ka veshur fanellën më shumë herë në ndeshjet zyrtare: 442.