Gripshi fiton ‘Këpucën e Artë’, zgjidhet golashënuesi më i mirë në Kazakistan

27 tetor 2025 | 15:11

Po jeton momentin e tij. Nazmi Gripshi është protagonist i një arritjeje të madhe, pasi ka fituar “Këpucën e Artë” në Premier Ligën e Kazakistanit.

Sulmuesi i zbuluar së fundmi nga Silvinjo, që e ka ftuar në kombëtare për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë, e ka mbyllur sezonin si shënuesi më i mirë i kampionatit kazak me 16 gola.

Kjo, në 26 ndeshje që ishte në fushë për ekipin e tij Astana, duke lënë dy gola prapa sulmuesin e Kairatit, Satpajev.

Një edicion shumë  i mirë, me rritje të ndjeshme në krahasim me të kaluarin kur arriti në 6 rrjeta në 12 ndeshje të luajtura.

Jo vetën kaq, por Gripshi ishte i dyti në renditjen e asisteve në Premier Ligë, me 7 pasime për gol, vetëm një më pak sesa fituesi Marin Tomasov, gjithashtu lojtar i skuadrës së tij, Astana, që dha 9 asiste.

28-vjeçari ishte më i miri edhe për gjuajtjet në kuadrat dhe për penalltitë e realizuara, 8.

Për fat të keq, ëndrra e madhe, ajo e fitores së titullit në Kazakistan, nuk u realizua.

Në javën e fundit të kampionatit, Astana pati nevojë për fitore në fushën e rivalit kryesor, Kairat, por nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1.

Gripshi asistoi golin e avantazhit dhe Astana ishte virtualisht kampione, por vendasit barazuan pas pushimit, shkruan “Abcnews.al”.

Sulmuesi kuqezi e ka fituar titullin në Shqipëri me Skënderbeun, ndërsa në karrierë ka fituar edhe Kupën në Shqipëri, Kosovë dhe Kazakistan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së Zgjedhjet duken tashmë të…