Grisi fletëvotimin e tij dhe të bashkëshortes, prokuroria në Ferizaj ngre aktakuzë ndaj një personi
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.A., i cili dyshohet se ka grisur fletëvotimin e tij dhe atë të bashkëshortes gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.
Në njoftimin e prokurorisë është thënë se rasti ka ndodhur në një qendër votimi në Shtime, ku i pandehuri akuzohet se ka dëmtuar dokumentet e votimit që lidhen me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas njoftimit, i dyshuari M.A. ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, është thënë në njoftim e prokurorisë.



