Grupi i Radoiçiqit kërcënon banorët e një fshati në Serbi që morën pjesë në protestat kundër Vuçiqit

23 shtator 2025 | 22:43

Grupi qytetar “Njerëz të Pastër për një Kosjeriq të Pastër” ka ngritur shqetësime serioze pas pranisë së Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili është i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas mediumit serb Danas, Radoiçiq ka ushtruar presion dhe ka kërcënuar qytetarët e një fshati në Serbi, duke u ndaluar pjesëmarrjen në protestat kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Qytetarët tanë nuk mund të jetojnë nën frikë dhe kërcënime. Prania e personave të tillë, të shoqëruar nga autoritete lokale, është e papranueshme,” thuhet në reagimin e grupit qytetar.

Dëshmitarë të ngjarjes raportojnë se Radoiçiq u shoqërua nga trupa sigurie dhe disa zyrtarë lokalë, përfshirë kryetarin e komunës Zarko Dokiq, si dhe këshilltarët Dalibor Vujiq dhe Slobodan Dukiq.

Në deklaratën e tyre publike, grupi kërkoi reagim urgjent nga institucionet shtetërore.

“Prokuroria, policia dhe shërbimet e sigurisë duhet të veprojnë menjëherë për të mbrojtur qytetarët dhe për të parandaluar çdo formë presioni politik,” u theksua në deklaratë.

Megjithatë, përfaqësuesit e grupit thanë se nuk do të tërhiqen nga qëllimi i tyre:

“Nuk kemi frikë. Lufta për një Kosjeriq të lirë, të sigurt dhe të drejtë do të jetë vetëm më e vendosur dhe këmbëngulëse pas kësaj ngjarjeje.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka qenë në tubimin në…