Grupi Marksist – Leninist i Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981

24 prill 2021 | 09:56

Shkruan: Ismail Syla
1.
Në 40 vjetorin e demonstratave të viti 1981vërhen paraqitje publike nga më të ndryshmet, prej atyre serioze deri tek ato shpesh qesharake, të përcipta, të turbullta dhe opake. Të vjen gërdi prej paraqitjeve të gjymta në disa raste, kur gazetari i një brezi të ri në bashkëbisedim me disa përfaqësues të shpifur të demonstratave të vitit 1981, në vend që të dalë i ndriçuar nga debati televiziv, del konfuz, e aq më konfuze dalin shpjegimet lidhur me demonstratat e vitit 1981.
2.
Grupi i organizuar në ilegalitet të thellë në vitet 1970 deri më 1981, Grupi Marksist Leninist i Kosovës (i shndërruar në Organizatë Marksiste Leniniste të Kosovës OMLK) në kuptimin strategjik dhe faktik nuk ka të bëjë asgjë me organizimin e demonstratave të 11 , 26 marsit, 1 dhe 2 prillit 1981. Anëtarët e GMLK-së mund të kenë marrë pjesë në demonstratat e viti 1981, individualisht, por në programin politik të GMLK-së së vitit 1981 nuk kanë qenë fare në agjendë, as si strategji, as si taktikë, as si ide as si plan operacional.
3.
GMLK-ja ka qenë një organizatë e fshehtë, e përsosur si strukturë dhe organizim me program politik ideal brenda vetvetes. Në bazë të kësaj përsosmërie ka mundur të qëndrojë dhe jetojë për shumë e shumë vite pa u zbuluar nga shteti jugosllav, por ndikimi i saj në praktikë do të ishte i vogël dhe pa efekt cilësor në largimin e sundimit jugosllav të Kosovës. Qëllimi i saj, çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë ka qenë synim po ashtu ideal, por koha ka treguar se ai idealizëm dhe ai organizim ka qenë në një gjendje sterile politike. Kur GMLK-ja fillon të shpërndajë më shumë material propagandistik, antijugosllav, pra kur fillon të dalë përtej ilegalitetit steril, ndod zbulimi dhe arrestimi i anëtarëve të saj, që nga nëntori 1981.
4.
Në mënyrë telegrafike trashëgimia kryesore politike e GMLK-së mbeten traktet e shpërndara me përmbajtje antijugosllave dhe me orientim të pastër kombëtar, që kulmojnë me traktin për 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1978) dhe me vizitën e shefit të shtetit jugosllav, Josip Broz Tito në nëntor 1979 në gjashtë qendrat urbane të Kosovës. Brenda fushëveprimit të GMLK-së ka qenë organi ideologjik “Pararoja”, gazeta “Liria” dhe libri “Këngët e lirisë”.
5.
Jetëgjatësia e mos zbulimit të GMLK-së është pasqyrë e veprimeve në kushte sterile të fshehtësisë. Objektivi ideal i GMLK-së ka qenë vetëdijesimi kombëtar i popullit të Kosovës për robërinë nën Jugosllavi dhe organizimi i një kryengritjeje të armatosur, që do të çonte në çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Koha ka dëshmuar se asnjëherë nuk arrihet ndërgjegjësimi i tërë shoqërisë për të ndërmarrë veprime tërësisht kolektive. Shpesh ngjarje parciale, xixa e shkreptima politike kanë tërhequr veprime tektonike. Kulmi iluzionist i vetëdijesimit tërësor të komunitetit, kombit, popullit së pari dhe pastaj rrokja e armëve nga i gjithë populli për ta nisur luftën, në praktikën e pa bërë praktikë shpjegohet me synimet e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).
6.
Personifikim dhe ikonë e demonstratave të vitit 1981 është studenti i vonuar Ali Lajçi. Fjalimi i tij më 11 mars 1981 sado i varfër politikisht, pa strukturë dhe pa ndonjë koherencë ka zënë momentin historik dhe Ali Lajçin e bën përfundimisht simbol të demonstratave të vitit 1981. Ende nuk besoj se ka një bërthamë të vetëdijshme organizative me objektiva të qartë politike për organizimin e demonstratave të 11 marsit, të 26 marsit si dhe të 1 dhe 2 prillit 1981. Demonstratat e vitit 1981 janë rezultat i emancipimit kombëtar të inteligjencies rinore dhe universitare, të mbrujtur përgjatë viteve 1970. Janë rezultat i elektrizimit gjeneral të vetëdijes kombëtare, të cilën edhe një veprim spontan krijon reagim kundër strukturave sunduese të Kosovës (administratës jugosllave, policisë, komitetit komunist, ushtrisë “popullore” etj.) Disa të vetëquajtur organizatorë më shumë janë menaxhues të gurëve, hunjve dhe objekteve protestuese në rrugët e Prishtinës, se të një planifikimi të mirëfilltë.
7.
Ndikimi i GMLK-së praktikisht në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981 është zero. Kjo nuk do të thotë se po të mos shpërthenin demonstratat e vitit 1981 GMLK-ja nuk do të organizonte protesta dhe veprime tjera me karakter klasor e kombëtar. Derisa fjalimi i Ali Lajçit te udhëkryqi i Menzës së Studentëve është inaugurues i shpërthimit të demonstratave, fjalimi i Hydajet Hysenit në bli është plotësisht individual, nuk ka të bëjë si ndikim i para planifikuar i GMLK-së. Ai është militant i GMLK-së, por nuk është demonstrata e GMLK-së. Ali Lajçi mbetet ikonë e demonstratave të viti 1981, e asaj fryme patriotike gjenerale, ndonëse individët e organizuar në organizata klandestine e konsiderojnë vetveten më meritorë, vetëm pse kanë qenë të organizuar.
8.
Si përfundim:
Organizimi klandestin mund të jetë i përsosur por kontributi matet me veprim dhe ndikim publik. Jo me përsosmëri sterile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Everton ka arritur të fitojë me shifrat 0-1 ndaj Arsenal,…