Guardiola premton “Rolex” për lojtarët e Burnleyt nëse e ndalin Arsenalin

15 maj 2026 | 08:33

Gara për titullin kampion në Premier League ka marrë një kthesë të papritur dhe tejet interesante, ku protagonist është bërë edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja.

Ndonëse Burnley ka zbritur matematikisht në Championship, skuadra e sulmuesit kuqezi do të jetë më e motivuar se kurrë të hënën në mbrëmje në “Emirates Stadium” përballë Arsenalit kryesues, shkruan TopChannel.

Për këtë motivim ekstra ka menduar trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola. Pas fitores bindëse 3-0 ndaj Crystal Palace, “Qytetarët” e kanë ngushtuar në vetëm dy pikë diferencën me liderët e Londrës. Megjithatë, për të mbrojtur titullin, City nuk mjaftohet vetëm me fitoret e veta, por i duhet të shpresojë te një hap i gabuar i “Topçinjve” në dy takimet e mbetura.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes së fundit, Guardiola ka bërë një zotim që ka pushtuar mediat: “Nëse Burnley mposht Arsenalin të hënën, unë zotohem se do të blej nga një orë ‘Rolex’ dhuratë për secilin prej futbollistëve të tyre.”

Ky premtim përfshin drejtpërdrejt edhe Armando Brojën, i cili pritet të jetë në majën e sulmit të Burnley-t në këtë përballje jetike për fatet e kampionatit. Ndonëse skuadra e tij po kalon një moment të vështirë dhe u braktis nga tifozët në takimin e fundit në “Turf Moor”, motivimi financiar dhe prestigji i një dhurate të tillë nga Guardiola mund të ndryshojë totalisht qasjen e lojtarëve në fushë.

Të besuarit e Mikel Artetës zbresin në fushë me detyrimin e vetëm fitoren, por tashmë përballë do të kenë një ekip që nuk luan thjesht për krenari, por edhe për një shpërblim luksoz. Nëse Broja me shokë arrijnë të ndalin Arsenalin, ata jo vetëm që do të merrnin dhuratën e premtuar nga Pep, por do të vendosnin fatin e titullit në duart e Manchester City-t. Mbetet për t’u parë nëse sulmuesi kuqezi do të arrijë të jetë vendimtar në këtë mbrëmje, duke u bërë “makthi” i Arsenalit dhe “heroi” i papritur i Guardiolës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka pritur…