Gubetini: Mbështes me zemër e shpirt protestën e OVL-UÇK kundër shtrembërimit të së vërtetës së luftës

29 mars 2026 | 18:20

Veprimtari i çështjes kombëtare, dhe kryetari i PDK-së në Regensburg të Gjermanisë, Shqiptar Gubetini, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për protestën e thirrur nga OVL-UÇK, duke e cilësuar atë si një reagim të domosdoshëm në mbrojtje të së vërtetës historike.

“Mbështes me zemër dhe me shpirt protestën e thirrur nga OVL-UÇK, sepse kjo nuk është thjesht një protestë, por zëri i historisë sonë, i sakrificës dhe i dhimbjes që ende jeton në çdo familje shqiptare”, ka deklaruar Gubetini.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që, sipas tij, në Prishtinë të ndodhin veprime dhe deklarata që prekin plagët e luftës dhe tentojnë të mjegullojnë të vërtetën për Luftën Çlirimtare.

“Sot, në mes të Prishtinës, po shohim veprime e deklarata që prekin plagët tona më të thella dhe përpiqen të shtrembërojnë të vërtetën. Kjo nuk është vetëm gabim, por edhe fyerje për ata që dhanë jetën dhe për ata që mbijetuan me plagë të përjetshme”, u shpreh ai.

Duke komentuar ekspoziten dhe shenimet për masakrat e ndodhura në Kosovë të paraqitur nga Shkëlzen Gashi, Gubetini tha se ato, sipas tij, bien ndesh me ndjenjat dhe realitetin e popullit shqiptar.

“Kur prek të vërtetën e luftës, prek nderin e një kombi të tërë. E vërteta jonë nuk ka nevojë për shtrembërime. Ajo është e gjallë në kujtesën tonë dhe nuk do të lejojmë askënd ta zbehë”, përfundoi Gubetini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e saj për protestën…