Gucati beson se liderët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm

22 janar 2026 | 11:11

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati beson që liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin të pafajshëm, duke theksuar se drejtësia nuk do të jetë selektive dhe politike.

“Unë besoj se më 16-17 (shkurt) do të jemi në Hagë. Do t’i dëgjojmë katër bashkëluftëtarët tanë. Besojmë që do të jemi atje, nëse na lejohet, i kemi bërë kërkesat para dy dite. Besoj se do të na lejohet të marrim pjesë. Unë besoj dhe dua të besoj fuqishëm se ata do të dalin të pafajshëm. Besoj se drejtësia nuk do të jetë drejtësi politike apo selektive, do të jetë një drejtësi e mirëfilltë evropiane”, ka thënë Gucati, pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Gucati ka bërë me dije se do të marrin pjesë edhe në protestën e 17 shkurtit që është thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, ku do të bëhet thirrje për drejtësi ndaj çlirimtarëve.

“Mua më vjen keq, kjo pyetje që ma bërët është me ‘spec’. Qysh nuk marr pjesë bre unë dhe të gjithë shokët? Ne marrim pjesë në protesta. Ne nuk jemi këshill organizativ, kemi thënë me kohë, arsyet dihen pak a shumë, a në protestë do të marrim pjesë. Unë vetë kam vuajtur burgun edhe i kemi shokët, i kemi njerëzit që kanë luftuar”, ka thënë Gucati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata Patriotike “Çamëria” do të organizojë një takim jubilar me…