Gucati: Gjykata Speciale po mundohet ta barazojë luftën e UÇK-së me çetnikët serbë

28 korrik 2025 | 14:14

Një situatë e pazakonshme ka ndodhur më 27 mars në Hagë, ku ish-presidenti Hashim Thaçi ka njohur prokurorin e Gjykatës Speciale, John Devaney, që më parë ka qenë gardian në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen.

Kjo ngjarje ka sjell tensione në sallë dhe ka detyruar gjykatësin ta mbyllë seancën për publikun.

Por a ishte kjo një lojë e Gjykatës Speciale?

Lidhur me këtë zhvillim, në emisionin “Kosova Today” në “Klan Kosova” ka folur kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati.

“Kjo është hera e dytë, nuk është hera e parë. Ka ndodhur kur kemi qenë në burg unë dhe Nasimi, në atë kohë ka qenë një njeri me emrin John nëse nuk gaboj, me shtetësi amerikane, ai ka qenë një administrator i burgut që na ka pru rendin shtëpiak të burgut, dhe pas një kohe e kemi parë që ka qenë prokuror në Gjykatën Speciale”, ka thënë Gucati, duke bërë me dije edhe një herë se një zhvillim i tillë ka ndodhur edhe më parë.

Gucati ka thënë se me këto veprime, e kanë kuptuar se Gjykata Speciale, sipas tij, është duke bërë lojëra shumë të pista.

“Ne e dimë që janë duke u shkelur të gjitha të drejtat e të burgosurve atje”, ka thënë ai.

Më tutje, Gucati ka thënë se Specialja po mundohet ta barazojë luftën e Kosovës me të Serbisë.

“Unë mendoj se Gjykata Speciale po mundohet ta barazojë luftën e UÇK-së me çetnikët serbë, dhe do ta minimizojë luftën e UÇK-së dhe shtetin tonë. Por, nuk e besoj se do ta arrijnë këtë”,  ka thënë Gucati.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shfuqizuar ndalesën për…