
Gucati për protestën në Hagë: Kërkojmë nga gjykata drejtësi të mirëfilltë, jo drejtësi politike
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka deklaruar për protestën e cila do të mbahet më 14 shtator në Hagë për ish-krerët e UÇK-së të cilët po akuzohen për krime lufte.
I ftuar në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”, Gucati ka thënë se kjo protestë do të sjell efekt pozitiv pasi që sipas tij, zëri i qytetarëve të Kosovës, si dhe të veteranëve do të dëgjohet për kërkimin e drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së.
Derisa, kryetari u shpreh se nuk është kundër individëve, por kundër padrejtësisë, siç tha ai, që po bëhet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Tutje, ai theksoi se nuk po kërkojnë që kjo gjykatë të ua falë drejtësinë, por po kërkojnë drejtësi të mirëfilltë, jo drejtësi politike.
“Unë besoj që kjo protestë edhe protesta e kaluar që u mbajt më 7 shtator në Prishtinë edhe kjo që do të mbahet në Hagë do ta kenë efektin pozitiv se zëri ynë i qytetarëve të Kosovës i veteranëve të UÇK-së dhe gjithë atyre qytetarëve njerëzve pa dallim do të dëgjohet zëri i shqiptarëve në KiE që ne jemi duke përfaqësuar një protestë paqësore, për padrejtësi që mbahen në Gjykatën Speciale. Krimi në Kosovë ka emër dhe mbiemër, është Serbia. Ne nuk jemi kundër individëve, ne jemi kundër padrejtësisë që bahen në atë Gjykatë. Ne nuk jemi duke kërkuar me na falë drejtësi, ne kërkojmë drejtësi të mirëfilltë jo drejtësi politike, Gjykata në Hagë është Gjykatë puropolitike për me i kënaq epshet e Serbisë dhe të Rusisë”, ka deklaruar Gucati.