
Gucati: UÇK-ja s’lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia – çlirimtarët të mos gjykohen si kriminelë
Kryetari i Oorganizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, para mijëra qytetarëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare që janë mbledhur sot në Hagë për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi fjalimin e tij duke thirrur “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”.
Ish i burgosuri i Gjykatës Speciale, ka thënë se në këtë protestë po flasin për dinjitetin e popullit, drejtësinë që u është mohuar dhe historinë e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“UÇK nuk lindi nga urrejtja por nga padrejtësia”, ka thënë Gucati.
Në parkun afër muzeut Madurodam që po mbahet protesta e që nuk është larg nga godina e Gjykatës Speciale, Gucati ndër tjerash tha se liria nuk ishte dhuratë, por ishte sakrifica e djemve dhe vajzave që ranë për flamur e tokë.
“Jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as përpara tenkave dhe as përpara helikoptërëve serb. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik, bota demokratike nuk mund t’i mbyll sytë para një padrejtësie kaq të madhe”, ka thënë Gucati.
Ndër tjerash, kreu i OVLUÇK-së ka bërë thirrje që çlirimtarët të mos gjykohen si kriminelë.