
Guerot: Nëse Kosova nis themelimin e Asociacionit do ta ndryshojë atmosferën në Paris
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është një Republikë Srpska dhe se ai do të jetë nën Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk është një Republikë Srpska, aspak. Lexoni sërish Marrëveshjen e Dejtonit. Po shënojmë 30-vjetorin e Dejtonit. Lexoni se çfarë është Republika Srpska dhe krahasojeni me statutin. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Nuk ka polici për Asociacionin. Nuk ka funksion legjislativ për Asociacionin. Asociacioni do të jetë nën kushtetutë, jo pjesë e kushtetutës siç është Republika Srpska”, ka thënë Guerot.
Ai ka theksuar se mund të japë edhe “argumente të tjera” në lidhje me këtë temë.
“Le të themi që Kosova e merr seriozisht këtë dhe e dërgon statutin në gjykatë dhe fillon implementimin. A do të ndryshojë diçka? Po, po marr një rrezik personal, por po: do të ndryshojë shumë atmosferën në kryeqytetin tim”.
“Dhe kështu Kosova mund të rikthehet në një situatë më të mirë për sa i përket reputacionit”, ka thënë ambasadori francez në një konferencë të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”.