Guri Hana ndahet nga Prishtina e Re, në bisedime me klube të Superligës

05 janar 2026 | 15:10

Futbollisti i njohur kosovar, Guri Hana, ka përfunduar bashkëpunimin me klubin e Superligës, Prishtina e Re, pas përfundimit të marrëveshjes trivjeçare. Qendërmbrojtësi pritet që karrierën ta vazhdojë në një ambient të ri, teksa interesimi për shërbimet e tij nuk mungon. Burime të afërta për “Epoka e Re” bëjnë të ditur se për Guri Hanën tashmë kanë shprehur interesim disa klube të Superligës së Kosovës, por edhe skuadra nga elita e futbollit shqiptar në Shqipëri. Performancat e tij të qëndrueshme dhe eksperienca e fituar ndër vite e kanë bërë atë një nga emrat më të kërkuar në repartin defensiv. Hana njihet si mbrojtës inteligjent, shumë i fortë në duele, i shpejtë për pozitën që mbulon dhe me shtatlartësi që i krijon vështirësi të mëdha sulmuesve kundërshtarë. Largimin nga Prishtina e Re, futbollisti e ka konfirmuar edhe përmes një njoftimi publik:

“Ju njoftoj se pas gati tre vitesh kam përfunduar bashkëpunimin me klubin Prishtina e Re. Një periudhë në të cilën u shpallëm kampionë në Ligën e Parë dhe arritëm suksesin historik – ngjitjen në Superligë. Faleminderit klubit dhe të gjithëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi”, ka shkruar Hana.

Në karrierën e tij, Guri Hana ka qenë pjesë e disa klubeve kosovare, por ka fituar edhe përvojë ndërkombëtare në Gjermani, ku si 18-vjeçar luajti në futbollin profesionist të Ligës së Katërt me LSK Hansa. Megjithatë, pandemia e COVID-19 ndikoi negativisht në vazhdimin e rrugëtimit të tij në futbollin gjerman. Hana është produkt i Akademisë së 2 Korrikut, ku si junior ishte edhe kapiten. Pas rikthimit nga Gjermania në sezonin 2020/2021, ai ka luajtur për Besën e Pejës, Ramiz Sadikun, Trepçën ’89, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Prishtinës së Re, me të cilën arriti promovimin historik në Superligë. E ardhmja e tij pritet të qartësohet së shpejti, ndërsa interesimi i klubeve dëshmon vlerën dhe potencialin e mbrojtësit kosovar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luan Popaj nga Bellacerka Rahovec shpall të pavlefshme dëftesën e…