Guvernatori i BQK-së merr pjesë në CEF Forum 2026 në Shkup

23 qershor 2026 | 10:56

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në CEF Forum 2026, i mbajtur në Shkup nën temën “Qeverisja në pasiguri dhe ndërtimi i institucioneve publike të qëndrueshme”.

Sipas një komunikate për medie, forumi ka mbledhur politikëbërës të nivelit të lartë, drejtues të administratës publike, përfaqësues të bankave qendrore dhe ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim diskutimin e çështjeve që lidhen me lidershipin, qëndrueshmërinë institucionale dhe qeverisjen efektive në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe të pasigurt.

Para nisjes së forumit, guvernatori Ismaili ka marrë pjesë si vëzhgues në Takimin Vjetor të Bordit Drejtues të Qendrës së Ekselencës në Financa (CEF), ku janë diskutuar prioritetet institucionale dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Në kuadër të forumit, ai ka qenë panelist në sesionin “Qeverisja në pasiguri: zgjedhjet e lidershipit nën presion”, ku janë trajtuar tema që lidhen me vendimmarrjen në kohë krizash, koordinimin institucional dhe qëndrueshmërinë e politikave publike.

Në fjalën e tij, Ismaili ka theksuar se pasiguria është shndërruar në një tipar të rëndësishëm të mjedisit aktual të politikëbërjes, duke kërkuar forcim të kapaciteteve institucionale për t’u përballur me sfidat ekonomike, financiare dhe gjeopolitike.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e qeverisjes së mirë, ekspertizës profesionale, koordinimit efektiv dhe lidershipit strategjik si elemente kyçe për qëndrueshmërinë institucionale, duke theksuar gjithashtu nevojën për komunikim transparent dhe vendimmarrje në kohë.

Po ashtu, guvernatori i BQK-së ka vënë theksin te zhvillimi i kapaciteteve, programet e lidershipit dhe ushtrimet me skenarë krizash, si mjete për rritjen e gatishmërisë dhe rezistencës institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dyshuari për rastin e tentim-vrasjes që ka ndodhur më…