Guvernatori Ismaili: Angazhimi i BQK-së mbetet i palëkundur në forcimin e stabilitetit financiar

29 prill 2026 | 12:39

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mori pjesë në “Kosova Finance Forum 2026”, ku kontribuoi në mënyrë aktive përmes organizimit të një paneli të nivelit të lartë rajonal dhe pjesëmarrjes në panele dhe grupe punuese në fushëveprimin e saj institucional.

Forumi trajtoi një agjendë gjithëpërfshirëse me tema kyçe si stabiliteti financiar, kapacitetet institucionale, digjitalizimi, sigurimet, siguria kibernetike dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në sektorin financiar.

Në fjalën e tij hyrëse, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, përshëndeti organizimin e forumit, duke e vlerësuar atë si një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve ndërmjet institucioneve financiare, rregullatorëve dhe akterëve të tregut.

Ai theksoi se stabiliteti dhe gjithëpërfshirja financiare, forcimi i kapaciteteve institucionale, inovacioni dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë shtylla thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas tij, avancimi i këtyre komponentëve kërkon përkushtim të vazhdueshëm institucional, reforma strukturore të mirëfillta dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional.

“Angazhimi i BQK-së mbetet i palëkundur në forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e gjithëpërfshirjes dhe avancimin e inovacionit, me synim ndërtimin e një sistemi financiar modern, të sigurt dhe të përafruar me standardet evropiane. Kjo mund të arrihet përmes fuqizimit të kapaciteteve institucionale dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal”, u shpreh guvernatori Ismaili.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal gjithashtu në rëndësinë e integrimit financiar evropian, duke e cilësuar atë si një shtyllë strategjike për stabilitet, zhvillim institucional dhe përafrim të mëtejmë me kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të forumit, BQK-ja organizoi panelin e nivelit të lartë rajonal me temën “Kapaciteti institucional dhe konvergjenca me Bashkimin Evropian”, i moderuar nga zëvendësguvernatorja e BQK-së, Nesrin Shileku-Shala.

Në panel, përveç guvernatorit Ismaili, morën pjesë Sebastian Sosa, përfaqësues rajonal rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor, Ivana N. Korada nga Qendra Sllovene e Ekselencës në Financa (CEF), si dhe Sergiy Maslichenko, shef i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë.

Diskutimi u fokusua në forcimin e kapaciteteve institucionale si parakusht për konvergjencën me Bashkimin Evropian, përfshirë zhvillimin e kapitalit njerëzor, rritjen e efikasitetit institucional dhe avancimin e reformave strukturore.

Po ashtu, u trajtua rëndësia e harmonizimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, roli i institucioneve financiare ndërkombëtare në mbështetjen e reformave, si dhe nevoja për bashkëpunim të zgjeruar rajonal në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane.

Pjesëmarrja e BQK-së në këtë forum reflekton angazhimin e saj proaktiv në nxitjen e dialogut profesional, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar në nivel rajonal dhe më gjerë, në përputhje me objektivat strategjike të institucionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar…