Guvernatori Ismaili merr pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në konferencën ndërkombëtare për nder të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, me temë “Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”, organizuar nga Banka e Shqipërisë.
Konferenca trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonominë globale, politikat monetare dhe rolin e bankave qendrore në kushtet e ndryshimeve të shpejta ekonomike e teknologjike, monedhat digjitale të qëndrueshme, pavarësinë monetare dhe të ardhmen e parasë.
Guvernatori Ismaili mori pjesë si folës në panelin me temë “Monedhat digjitale të qëndrueshme, pavarësia dhe e ardhmja e parasë”, ku në fillim uroi Bankën e Shqipërisë për 100-vjetorin e themelimit, duke e vlerësuar këtë përvjetor si një moment historik jo vetëm për institucionin, por edhe për sistemin financiar të rajonit në tërësi.
Ai falënderoi Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, guvernatori Ismaili theksoi se evolucioni digjital po transformon mënyrën se si funksionojnë ekonomitë dhe shërbimet financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në përfshirjen financiare, efikasitetin e pagesave, forcimin e stabilitetit financiar dhe ruajtjen e integritetit monetar.
Guvernatori ndau reformat e ndërmarra nga Kosova në digjitalizimin e infrastrukturës së pagesave, zgjerimin e qasjes në financa, zbatimin e suksesshëm të llogarisë bazike, si dhe nismat tjera strategjike, si përafrimi me SEPA, zbatimi i projektit të pagesave të shpejta (TIPS Clone) si dhe zhvillime të tjera në pajtim me planin strategjik të BQK-së u pasqyruan më tej.
Në përmbyllje të fjalës, guvernatori Ismaili theksoi se inovacioni financiar duhet të ecë paralelisht me transparencën dhe edukimin financiar, ku stabiliteti financiar, sovraniteti monetar dhe integriteti i sistemit financiar, mbeten boshti i politikave tona.



