Guvernatori Ismaili merr pjesë në Forumin e XII Rajonal dhe në Panelin e Guvernatorëve: SEPA si një urë drejt integrimit në tregun unik të Bashkimit Evropian, me përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset

13 qershor 2025 | 15:55

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në Panelin e Guvernatorëve me temën “SEPA dhe WB6: Një katalizator për konvergjencën me BE-në dhe qasjen në tregun e vetëm evropian”, me ftesë të Guvernatores së Bankës Qendrore të Malit të Zi, znj. Irena Radović.

Gjatë këtij paneli, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet në Kosovë lidhur me këtë proces, duke theksuar reformat e ndërmarra nga BQK-ja, përfshirë finalizimin e tre ligjeve kyçe dhe mbi 20 akteve nënligjore, të mbështetura nga Banka Botërore, që krijojnë bazën për përputhshmëri me kërkesat e SEPA-s. Ai potencoi se këto veprime janë pjesë e Planit Strategjik të BQK-së dhe janë realizuar në bashkëpunim me institucionet vendore dhe me mbështetjen e fortë të Bankës Botërore dhe bashkëpunimit të shkëlqyer rajonal.

Guvernatori përmendi gjithashtu procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA të dorëzuar në fund të vitit 2024, si dhe theksoi domosdoshmërinë e avancimit të mëtejmë të infrastrukturës teknike – përfshirë harmonizimin e standardeve dhe funksioneve të sistemit kombëtar të pagesave me kërkesat teknike të SEPA-s. Megjithatë, shqyrtimi kushtetues i ligjeve të miratuara ka bërë që vlerësimi nga Komisioni Evropian ende të mos dorëzohet, çka ka ndikuar në progresin e para-aplikimit, pavarësisht punës së shkëlqyer të BQK-së, e cila u vlerësua lart edhe gjatë panelit nga përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Në diskutimin e tij, Guvernatori theksoi se integrimi në SEPA nuk është vetëm një çështje teknike, por një urë reale drejt integrimit në tregun unik të Bashkimin Evropian, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset – përmes rritjes së transparencës, uljes së kostove dhe lehtësimit të tregtisë dhe lëvizjes së kapitalit. Sipas vlerësimeve, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve për eksportuesit dhe sektorin privat.

Ai nënvizoi se hapat e ardhshëm kërkojnë investime në infrastrukturën teknike dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar dhe ofruesit tjerë të shërbimeve të pagesave, në mënyrë që Kosova të jetë teknikisht e përgatitur në momentin e anëtarësimit në SEPA. Guvernatori gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe rolin udhëheqës të Bankës Botërore, IFC-së në ofrimin e asistencës teknike, si dhe Bankës së Italisë për projektin kyç si sistemi i pagesave të shpejta TIPS Clone, që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave.

Duke e cilësuar këtë proces si një investim për të ardhmen dhe një test për kapacitetin institucional të vendeve të rajonit për integrimin evropian, Guvernatori përmbylli se, pas liberalizimit të vizave, anëtarësimi në SEPA do të përfaqësojë për qytetarët e Kosovës përfitime konkrete për individët, bizneset dhe gjithë ekonominë.

Ky panel me përfaqësim të lartë përfshinte përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane, Bankës Botërore, si dhe guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë nga vendet e rajonit. Diskutimi vuri theksin në rëndësinë strategjike të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe ndikimin e këtij procesi në stabilitetin financiar dhe përgatitjet për anëtarësim në BE.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të Forumit të XII Rajonal të Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore, me temë “Stabiliteti Financiar dhe Monetar i Rajonit në kushtet e rritjes së dobët ekonomike në Eurozonë”, e organizuar në Beçiç, Mali i Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrat për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave e Kryeprokurorit të Shtetit…